Shqipëri, 15 të arrestuar për dhunën në protestën e partive opozitare

Policia e Shqipërisë ka arrestuar 15 persona në lidhje me tensionet dhe përplasjet gjatë protestës së djeshme antiqeveritare të partive opozitare, që u mbajt para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se arrestimet janë bërë pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura, gjatë protestës së djeshme ku pati akte dhune.

“Të arrestuarit gjatë zhvillimit të tubimit në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kanë çarë kordonin e policisë duke kundërshtuar e goditur punonjësit e policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për garantimin paqësor të tubimit. Gjithashtu kanë goditur dhe thyer me mjete të forta, dyert, xhamat dhe vepra arti në hyrjen kryesore të Kryeministrisë së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas të tjerë.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Kujtojmë se protesta antiqeveritare e partive opozitare e mbajtur më 16 shkurt në Tiranë u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve, ku protestuesit me sende të ndryshme dëmtuan selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Si pasojë e përplasjeve dhe dhunës në protestë, autoritetet e Shqipërisë njoftuan se mbetën të lënduar 19 persona, konkretisht 9 punonjës të forcave të rendit, 2 përfaqësues të mediave dhe 8 protestues.