Pensionistët në Shqipëri kanë organizuar sërish protestë me kërkesat për rritjen e pensioneve dhe përmirësimin e shërbimeve sociale, raporton Anadolu.
Dhjetëra pensionistë, të mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë, kanë protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Me pankartat me mbishkrime “Pensionistët nuk kërkojnë bonuse, por pensione dinjitoze”, “Punuam gjithë jetën, përsëri bosh e kemi kuletën”, “Hiqni dorë nga korrupsioni, të rritet pensioni”, pensionistët kërkuan “pensione dinjitoze dhe miratimin e një minimumi jetik”.
Pjesë e protestës ishin edhe një grup ish-minatorësh, të cilët kërkojnë miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji që të përcaktojë statusin e minatorit.
Protesta e sotme është organizuar me mbështetjen e organizatave dhe grupimeve që mbështesin pensionistët, me kërkesat për rritjen e pensioneve të kategorive të ndryshme dhe përmirësimin e shërbimeve të institucioneve ndaj pensionistëve.
– Rritja e pensioneve dhe bounsi i fundvitit
Qeveria e Shqipërisë në shtator të vitit 2024 miratoi një vendim për indeksimin e pensioneve me 4,1 për qind, rritje që kundërshtohet nga disa grupime të pensionistëve.
Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim përfitojnë rreth 791.257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.
Ndërkohë, më 27 nëntor Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, miratoi bonusin e fundvitit për pensionistët, bonus që është kundërshtuar nga disa parti politike, organizata dhe grupime të pensionistëve.
Fondi për bonusin për pensionistët është 100 milionë euro, ndërkohë bonuset janë rreth 150 euro dhe 100 euro, sipas kategorisë së pensioneve.





