Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur masa ndaj gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, duke i përjashtuar me një muaj nga punimet e Kuvendit, pas tensioneve në seancën e fundit parlamentare, transmeton Anadolu.
Në mbledhjen e sotme të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën u shqyrtua kërkesa e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke u marrë vendimi në fjalë.
“Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën vendosi të përjashtohen nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deputetët Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu, për një afat prej 30 ditësh pune”, thuhet në vendimin në fjalë publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Shqipërisë.
Në vendim theksohet se “shkeljet janë kryer në më mënyrë të përsëritur dhe cenojnë rëndë rendin parlamentar dhe vijimin normal të seancave plenare, duke përbërë shkak për marrjen e masës disiplinore”.
– Tensionet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë
Në seancën plenare të datës 18 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes deputetëve të partisë opozitare, Partisë Demokratike dhe punonjësve të Gardës së Shqipërisë.
Deputetët e opozitës bënë thirrje gjatë seancës që shumica parlamentare të “dorëzojë para ligjit”, zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku. Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
PD gjithashtu kundërshton edhe procedurën parlamentare për zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, i cili u zgjodh në seancën parlamentare të datë 12 dhjetor.
Për shkak të tensioneve, gjatë seancës nuk u zhvilluan diskutime për projektligjet.





