Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja, shtete më të korruptuara se Kosova (Dokument)

Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovina rezultojnë të jenë shtete me korrupsion më të madh se Kosova.

Këto konstatime dalin nga një projekt hulumtues i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga Qendra për Studime të Demokracisë (CSD), me seli në Bullgari, i cili ditë më parë është prezantuar në Uashington, raporton lajmi.net.

Në këtë hulumtim, 50% e qytetarëve të Shqipërisë kanë deklaruar se atyre u është kërkuar ryshfet, derisa 40 % janë deklaruar se kanë dhënë ryshfet për të kryer ndonjë punë.

Pas Shqipërisë, rangohet Maqedonia. Rreth 30% e të anketuarve janë deklaruar se iu është kërkuar që të japin ryshfet, derisa 29 % e tyre kanë dhënë ryshfet.

Edhe Bosnja e Hercegovina nuk ka dalë fare mirë në këtë hulumtim. Rreth 33% e të anketuarve kanë deklaruar se iu është kërkuar ryshfet ose dhurata, derisa 28% janë deklaruar se kanë dhënë.

Në vendin e katërt renditet Kosova. Rreth 27% e kosovarëve kanë deklaruar se iu është kërkuar ryshfet, derisa 22 % kanë thënë se ata kanë dhënë ryshfet.

Ky institut, ndryshe nga qendra të tjera të hulumtimit, nuk ka matur vetëm perceptimin nëse ka apo nuk ka raste korruptive. Por, ka matur edhe nivelin e përfshirjes së drejtpërdrejt të qytetarëve në raste të tilla, raporton lajmi.net.

Nga ky hulumtim shihet se perceptimi i qytetarëve të Kosovës për korrupsionin është në shpërputhje me realitetin në terren. Derisa në raporte tjera, Kosova figuron si vendi më i korruptuar, meqë në to matet vetëm perceptimi për ekzistimin e korrupsionit si fenomen.

Pikërisht këtë e ka vërejtur edhe qeveria amerikane, e cila përmes Mileniumit të Mijëvjeçarit (MCC) ka vendosur që të investojë shumë në krijimin e një perceptimi real për korrupsionin në Kosovë.

Edhe Bullgaria, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian qëndron keq me korrupsion. Rreth 24% e qytetarëve të Bullgarisë që janë anketuar kanë deklaruar se atyre iu është kërkuar ryshfet, ndërsa 22% kanë thënë se ata kanë dhënë ryshfet.