Shqipëria refuzon t’i trajtojë falas kosovarët në hemodializë

Qytetarët e Kosovës paguajnë deri në 150 euro në Shqipëri për shërbimin e hemodializës, ndonëse në Spitalin e Prizrenit dhe në atë të Gjakovës rregullisht u ofrohet dializa falas pacientëve të komunave të Shqipërisë, rrëzë kufirit. Autoritetet në Prishtinë theksuan se në marrëveshjen e fundit kanë insistuar që ta përfshijnë edhe këtë çështje, porse ato të Tiranës nuk kanë treguar mirëkuptim për t’iu bërë zgjidhje këtyre pacientëve.

Qeveria e Shqipërisë ka refuzuar ta përfshijë në marrëveshjen e nënshkruar dy javë më parë me Kosovën mundësinë që pacientët në dializë të marrin shërbime falas. Për pasojë, qytetarët e Kosovës paguajnë kur ndodhen në Shqipëri, ndonëse në Spitalin e Prizrenit dhe në atë të Gjakovës rregullisht u ofrohet dializa falas pacientëve të komunave të Shqipërisë, rrëzë kufirit.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka treguar se autoritetet e Shqipërisë nuk kanë treguar mirëkuptim për t’iu bërë zgjidhje këtyre pacientëve.

“Shtetasit kosovarë nuk mund të përfitojnë nga marrëveshja ekzistuese me Tiranën zyrtare, hemodializim falas gjatë sezonit veror. Gjatë negocimit të protokolleve të marrëveshjes, të cilat kanë mbetur të pafirmosura shkaku i shtyrjes së mbledhjes së qeverive, për aktivitetin e cekur nga ju nuk kemi hasur në mirëkuptim me Tiranën zyrtare. Prishtina zyrtare do të vazhdojë t’i hemodializojë pacientët, sikur edhe nga praktikat e deritanishme pa ndonjë ndryshim”, ka thënë Bardiqi.

Janë 27 pacientë me dializë nga Shqipëria që rregullisht marrin shërbime pa pagesë në spitalet e Kosovës, krahas të tjerëve që vizitojnë shtetin. 16 pacientë nga Shqipëria numëron Spitali i Prizrenit e 11 ai i Gjakovës.

E, pacientë kosovarë treguan se detyrohen të paguajnë deri në 150 euro vetëm për një seancë të hemodializës edhe gjatë kohës sa shkojnë në këtë shtet për pushime. Muhamet Zogu, i cili ishte në procesin e pastrimit të gjakut përmes aparaturave në Repartin e Hemodializës në QKUK, ka thënë se pagesa për shërbime shëndetësore është arsyeja që i shtyn shpeshherë të ndërpresin pushimet.

“Gjatë verës kam nevojë për të shkuar në deti, me u fresku pak dhe me ndërru ambientin, mirëpo dy herë kam qenë. Herën e parë nuk kam bërë dializë, sepse ishte bukur shtrenjtë. Kurse herën e dytën m’i kërkuan 150 euro veç një herë në ditë për dializë…. Ne kur po shkojmë atje nuk jemi në gjendje të paguajmë 150 euro e mandej duhet me ndërpre pushimin në gjysmë dhe me ardhë me zënë dializën prapë këtu”, ka thënë Zogu.

Edhe Florije Bajrami, që ndodhet prej 14 vjetësh në dializë, tregon problemin e njëjtë me të cilin ballafaqohen çdo vit krahas dëshirës dhe nevojës për të kaluar pushimet në Shqipëri.

“Kem dëshirë edhe ne sikur çdokush tjetër me shku në deti. Të kemi ndonjë pushim, porse nuk i kemi mundësitë. Nuk i kemi mundësitë, për arsye se nuk kemi ku ta bëjmë dializën se ndoshta ia dalim disi. Kam qenë, çdoherë shkoj. Përpara prej atje kam ardhë këtu e kam bërë dializën. Tashti shkoj atje, rri 10 ditë e bëj dializën një ditë po, një ditë jo. 100 euro më bie me pagu. Mundësitë nuk i kemi, por duhet, na ndihmon, duhet me shku”, ka thënë Bajrami.

Nefrologia Miloreta Tolaj tregon se me problemin përballen rreth 240 pacientët kosovarë që e marrin shërbimin në QKUK.

“Gjatë kohës kur kanë pushime obligohen të shkojnë ose edhe t’i shkurtojnë pushimet e tyre për shkak të çmimit që duhet të paguajnë për seancën e dializës në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht se kanë pasur edhe më herët ankesa, kanë pritë se mos ka ndonjë marrëveshje mes dy vendeve”, ka thënë Tolaj.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, por nuk ka pranuar përgjigje. Përgjigjet kanë munguar edhe nga zëdhënësja e Qeverisë së këtij shteti, Manjola Hasa, e edhe nga ajo e Ministrisë së Shëndetësisë, Etiola Kola.

KOHA ka raportuar për problemin e pacientëve kosovarë edhe gjatë vitit të kaluar, në kohën kur gazetari Nehat Islami u ka dërguar letër autoriteteve në Shqipëri, që në emër të këtyre pacientëve ka kërkuar largimin e kësaj kostoje, njësoj si në Kosovë. Përgjigje përmes emailit nuk kishte kthyer as atëherë Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, ndërkaq për këtë shqetësim dhe kërkesë të pacientëve kosovarë, KOHA ka pyetur ministren Orgeta Manastirliu gjatë vizitës që pati në Kosovë më 10 qershor të vitit të kaluar. Në atë kohë, ajo ka thënë shkurt se kjo do të jetë një nga objektivat e të dy qeverive dhe se janë duke e shqyrtuar mundësinë e adresimit të saj.

“Ne jemi duke parë dhe vlerësuar pikërisht atë që ju përmendët, pra për të kuptuar se cila është kërkesa dhe se si mund të adresohet kjo kërkesë. Jemi në pritje edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe besoj në këto diskutime dhe në të gjithë marrëdhënien që ne e kemi për të bërë një plan të qartë, të saktë, një analizë konkrete dhe patjetër edhe për të pasur edhe një adresim të këtij shqetësimi që ju përcollët e që për ne pa dyshim është një objektivë për punën tonë në të ardhmen”, pati thënë ajo gjatë vizitës në Kosovë.

Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë gjatë vitit të kaluar pa dhënë shumë detaje kishin thënë se kjo çështje është duke u diskutuar në mes të dy ministrive aktuale.