Shqiptarët sipas Sami Bej Frashërit

Dr. Agron Islami

Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë tëjapin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë.
Vetëm se për pak gjë dhe për çështje shumë të parëndësishme bien në
mosmarrëveshje. Janë seriozë dhe të sinqertë, nuk duan shaka të tepruara,
tallje dhe fjalë të parëndësishme. Ecin shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje
elegente dhe qëndrim krenar. Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe
shtatgjate, sidomos janë të bollshme dhe pak me fytyrë burrërore. Në çështje
të moralit janë shumë të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado
pak del jashtë moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të afërmit. Gratë
shqiptare janë shumë punëtore dhe të denja. Në shtëpi kanë pavarësi të plotë, kurse burrat konsiderohen si musafirë. Meqë i kushtojnë shumë rëndësi çështjes së prejardhjes së familjes (sojit), të gjithë, për t’i dhënë vajzat e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang, shpeshëherë i japin larg. Nuk e kanë zakon t’u japin vajzave të tyre pjesë nga pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë bëhen nga ana e burrit . Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë të forta, më shumë i kushtojnë rëndësi punës dhe nuk kanë fanatizëm. Në mes njerëzve që u takojnë feve të ndryshme ka një dashuri dhe mirëkuptim të plotë.
Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit është si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë e kuptojnë njëri-tjetrin.

Nga: Dr. Agron Islami