ShSKUK-ja pajiset me material higjienik dhe respiratorë shtesë, por ka mungesë të infektologëve

Në rast të përhapjes së koronavirusit në Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, (ShSKUK) ka siguruar mjete higjienike dhe 20 respiratorë rezervë për ta përballuar situatën.

Kështu  u njoftuan anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqeni Sociale të cilët vizituan Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovë, qëllimi i të cilës ishte njoftimi me masat që ka ndërmarrë ky institucion në rast se paraqitet ndonjë i prekur me koronavirus.

Në këtë takim u shfaq si shqetësim mungesa e infektologëve në Klinikën Infektive dhe spitalet regjionale të Kosovës.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu ka deklaruar se shkalla e rrezikshmërisë që edhe qytetarët e Kosovës të preken me koronavirus tashmë është rritur.

Sipas tij kanë bërë blerjet emergjente si maskat dhe dorezat dhe materialet higjienike, ndërsa kanë siguruar edhe 20 respiratorë të tjerë në rast nevoje.

Lidhur me furnizimin me oksigjen, Sejdiu njoftoi se nuk do ketë telashe dhe se mënyra e furnizimit është kryesisht qendror por në disa klinika ka edhe përmes bocave.

Drejtori i ShSKUK-së ka njoftuar se edhe Spitalet Regjionale kanë bërë përgatitjet e nevojshme si dhe kanë krijuar dhoma izolimi në rast të nevojës.

Por si shqetësim, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajvazi Berisha shfaqi mungesën e infektologëve qoftë në këtë klinikë, qoftë nëpër Spitalet Regjionale.

Sipas saj Klinika Infektive është e gatshme për të trajtuar rastet nëse do të preken nga koronavirusi, por që tha se deri tani të gjitha rastet që kanë pasur një symptomë të vetme ata e kanë trajtuar.

Drejtoresha e Klinikës Infektive njoftoi se kjo klinikë ka 120 shtretër me gjithsej 19 dhoma të pajisura me oksigjen qendror.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale kanë vizituar edhe Barnatoren Qendrore në SHSKUK, ku u njoftuan me rezervat dhe kapacitetet për furnizimin me materialet e nevojshme.

Drejtoresha e Barnatores Qendrore, Gëzime Pllana tha se tashmë vetëm kanë filluar me furnizim me maska dhe doreza, dhe janë në gjendje gatishmërie në bazë të mundësive që ata kanë.

Si shqetësim ajo shfaqi edhe mungesën e produkteve nga ana e operatorëve, dhe prandaj sipas saj nuk ka mundësitë për të përgatitur stoqe të mëdha  të maskave dhe dorezave.

Pas interesimit të deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli për mungesën e barit Tamiflu i cili ka qenë mungesë në pikun e gripit sezonal, Pllana  tha se e  për herë të parë ky bar është në liste esenciale dhe se ka pasur një furnizim të mirë .

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj teksa kërkoi që të ketë një vigjilencë më të madhe në pikat hyrëse të vendit,  derisa kërkoi që të mos lejohen që të rriten çmimet e maskave.

Kujtojmë që dje Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për zhvillimin e aktiviteteve dhe planet rreth parandalimit dhe trajtimit të virusit, në rast se do të ketë të prekur në Kosovë.

Ndërkohë që në Shqipëri janë konfirmuar 12 persona tashmë të prekur nga ky virus, dhe një i vdekur, derisa qeveria atje ka mbyllur shkollat për dy javë, shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Koronavirusi është përhapur në mbi 100 vende të botës ndërkohë që qeveritë kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura, dhe disa kanë mbyllur kufijtë për një periudhë të pacaktuar.