Ballina Kuriozitete Shtëpia e Hitlerit bëhet stacion policie

Shtëpia e Hitlerit bëhet stacion policie

Dhjetë vjet pasi autoritetet austriake morën në pronësi shtëpinë ku lindi Adolf Hitleri, ndërtesa në Braunau am Inn do të hapet zyrtarisht si stacion policie.

Qeveria austriake synon që objekti të mos shndërrohet në vend pelegrinazhi për grupet neonaziste dhe ekstremistët e djathtë.

Shtëpia trekatëshe, ku familja e Hitlerit jetoi për rreth tre vjet pas lindjes së tij më 20 prill 1889, ka qenë për dekada në qendër të debatit publik.

Në vitin 2016, shteti e konfiskoi ndërtesën pasi pronarja refuzoi ta shiste dhe nuk pranonte projektet për rinovimin apo përdorimin e saj.

“Është një gjë shumë e mirë, një ide e mirë, sepse gjithmonë ka pasur shumë lëvizje këtu dhe tani nuk mund të ndodhin më gjëra të tilla”, pohoi një banor.

I pyetur nëse kishte vënë re praninë e grupeve të ekstremit të djathtë apo neonazistëve në këtë zonë, banori tha se vizita të tilla kanë ndodhur herë pas here.

“Herë pas here grupe të tilla vinin këtu, por tani kjo do t’i përkasë historisë.”

Përpara se të mbetej bosh në vitin 2011, ndërtesa shërbente si qendër për aktivitete të personave me aftësi të kufizuara. Disa banorë do të kishin preferuar që ky funksion të ruhej edhe në të ardhmen.

“Më parë këtu ishte organizata ‘Lebenshilfe’. Për shkak të pronares, e cila nuk lejonte rinovime, organizata u detyrua të largohej. Mua personalisht do të më pëlqente që ajo të kishte mbetur këtu.”

Megjithatë, të tjerë e mbështesin vendimin e autoriteteve, duke e konsideruar stacionin e policisë si përdorimin më të përshtatshëm për këtë ndërtesë.

“Mendoj se është shumë mirë që kjo shtëpi po bëhet stacion policie. Shpresoj që jashtë të mos theksohet se kjo ishte vendlindja e Hitlerit. Nuk ka nevojë të tërhiqen admiruesit e tij”, pohoi një turiste.

Me shndërrimin e vendlindjes së tij në stacion policie, autoritetet synojnë t’i japin fund përdorimit simbolik të kësaj ndërtese nga grupet ekstremiste dhe ta kthejnë atë në një institucion në shërbim të komunitetit.