Shtetit i shtohen edhe 138 veteranë

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti shtetit i janë shtuar edhe 138 veteranë të rinj në listat e përfitimit të pensioneve. Aktualisht pensionin e veteranit e marrin 37.598 qytetarë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Njëqindetridhjetetetë veteranë të rinj janë shtuar në listat e përfitimit të pensioneve të veteranit.

Plot 37 mijë e 598 përfitues pensionesh do të marrin pensione nga shteti.

Duke iu referuar statistikave zyrtare që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ia ka dhënë “Zërit”, numri i përfituesve të pensioneve të veteranëve në janar të këtij viti ka qenë 36 mijë e 794, në shkurt 36 mijë e 989, në mars 37 mijë e 44, në prill 37 mijë e 395, në maj 37 mijë e 460, ndërsa në qershor aktualisht 37 mijë e 598.

Vetëm për pensionet e 37 mijë e 598 veteranëve shteti ka shpenzuar 6 milionë e 353 mijë e 858 euro vetëm për një muaj.

Të paktën kështu thonë zyrtarët për informim në Ministrinë e Punës.

“Numri i veteranëve në pagesë për muajin qershor 2018 është 37 598, kurse shuma për këtë muaj është 6 353 858.50 €”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri, të cilën ua kanë bashkëngjitur shifrave zyrtare.

Për keqpërdorimet me listat e veteranëve nuk ka dashur të lëshohet shumë ish-kryetari i Komisionit për verifikimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku.

Ai i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk posedon fakte për keqpërdorim të këtyre listave, përveç përshtypjes së përgjithshme që i referohet për numrin e madh të veteranëve.