Një shumicë e madhe e gjermanëve mbështet protestat e fundit të të rinjve kundër financimit të pamjaftueshëm të shkollave, kostove të larta të banimit dhe rritjes së shpenzimeve të jetesës, tregon një sondazh i publikuar të enjten në mbrëmje, transmeton Anadolu.
Sondazhi përfaqësues, i realizuar për transmetuesin publik ARD, zbuloi se 82 për qind e gjermanëve pajtohen se politika tradicionale i lë pas dore të rinjtë. Nëntë nga dhjetë të anketuar e konsiderojnë pjesëmarrjen në demonstrata mënyrë të ligjshme për të shprehur pikëpamjet politike, ndonëse rreth dy të tretat janë kundër bllokimit të rrugëve.
Rezultatet vijnë pas protestave të dhjetëra mijëra të rinjve në mbi 30 qytete gjatë fundjavës, në përgjigje të thirrjes së nismës “Gen Z regelt”. Një ditë tjetër protestash është caktuar tashmë për 20 nëntor. Organizatorët kërkojnë më shumë fonde publike për arsimin, banesa të përballueshme, drejtësi sociale dhe mbrojtjen e klimës si dhe kundërshtojnë planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Mbështetja e gjerë e publikut për protestat përkon me thellimin e largimit të votuesve të rinj nga partitë në pushtet. Sondazhi tregon se të rinjtë e moshës 18 deri në 34 vjeç janë distancuar edhe më shumë nga aleanca konservatore CDU/CSU e kancelarit Friedrich Merz dhe partnerja e saj e koalicionit, Partia Socialdemokrate (SPD), duke u orientuar drejt partive në skajet e spektrit politik.
Në këtë grupmoshë, Partia e Majtë (29 për qind) dhe partia e djathtë AfD, e cila kundërshton emigracionin (21 për qind), gëzojnë besimin më të madh për trajtimin e çështjeve që lidhen me të rinjtë. Të Gjelbrit, me orientim mjedisor, morën 12 për qind ndërsa aleanca konservatore CDU/CSU e Merzit 5 për qind dhe SPD-ja 3 për qind.



