Si më bëri fotografia me vëllëzër musliman

Laguna e Karavastase Divjake

Kam lindur në fshatin Muçias, që sot i përketë Bashkisë së Divjakës. I përkas fesë ortodokse, ndër breza. Muçiasi shtrihet përreth lagunës së bukur të Karavastasë.

Por, sot, dua t’ju tregoj për diçka tjetër. Se si fshati im ka qenë i ndarë në dy lagje. Në lagjen e orthodhokësve dhe në atë të muslimanëve. Edhe pse jetuam dyzetepesë vjet në një sistem monist, i cili i prishi kishat dhe xhamitë, persekutoi klerikët e katër feve në Shqipëri, kjo kohe, gjithsesi nuk bëri të mundur zhdukjen e traditave dhe ndarjen e besimeve.

Qysh fëmijë dëgjoja në familjen time të thoshin për lagjen tjetër, të besimit musliman, se ata ishin “turq”. Nuk kishin traditat dhe zakonet si tonat, madje edhe për të vdekurit ata kishin varrezat e tyre, ne, orthodhoksit, tonat.

Prindërit e mi janë marr me artin e muzikës, organizonin koncerte për festat që bëheshin në atë kohë dhe,rastësisht i dëgjova një ditë teksa u luteshin prindërve musliman, që të lejonin vajzat e tyre, në këto aktivitete. Sapo hyra në moshën e adoleshences, nga prindërit mora kërcënimet e para për të mos u shoqëruar me moshatarët e mi, “turq”, me gjasë se, ata nuk i trajtonin mirë gratë,i torturonin,i përdornin si shërbëtore, ndaj dhe martesat e përziera me fe të ndryshme, ishin të rralla…

Për fat të keq, me këtë rast, propaganda komuniste e shfrytëzonte në favorë të politikës së vet prishjen e kishave dhe të xhamive. me gjasë per të shuar këtë ndasi, dalëboje, midis shqiptarëve…

Te gjitha këto gjëra më krijonin portretin e një burri “turk” barkmadh, të egër, i cili, për shkak të besimit musliman, e mbante gruan të mbyllur e të nështruar dhe jo vendimëmarrëse në familje .

Fjala “turk” ishte ngulitur thellë në mëndjen time, aq sa, dashje pa dashje, kisha krijuar përfundimisht një mur të lart në marrëdhënie me muslimanët… Ama, kurr nuk e kuptova pse i quanim “turq”, kur ata ishin shqiptarë, lindur e rritur po si ne, në Shqipëri!.

Altini, bashkshorti im, shpeshë më qortonte që ta hiqja nga fjalori fjalën “turk”, e ke paragjykim!- më thoshte,
Çështë e vërteta, edhe pse e kuptoja se ishte gabim, unë vazhdoja t’i qëndroja këtij mentaliteti…Vonë, vonë, pasi u bëmë dhe me një djalë, unë ende vazhdoja të vuaja nga ky paragjykim, derisa një ditë, në Divjakë, mbërriten nga Kosova fotografët “Wildlife”. Djem të rinj dhe burra të cilët i përkisnin besimit musliman. Ata më thërrisni “motër” duke treguar dashuri dhe respekt të veçantë për ne, gratë e martuara dhe, përgjithësisht për femrën. Ashtu si unë e Altini ata e dashuronin natyrën. Unë çuditesha kur shihja që te çiftet “turq “(të martuarit), mbizotëronte dashuria dhe respekti. Bashkëshortet gëzonin liri dhe barazi në vendimarrje brenda familjes së tyre, krejt ndryshe nga sa kujtoja unë, e bombarduar qysh e vogël prej mentalitetit të vjetër, përçarës. Ata kishin ardhur të ftuar nga ne, për të marrë pjesë në ekspozitën e “Wildldlife”,aktiviteti i se cilës u zhvillua në Divjakë.

Unë dhe bashkëshorti im u familjarizuam me ta. Me këtë rast, unë njoha nga afër artin e tyre, nëpërmjet fotografive të mrekullueshme që ata fiksonin në aparat, si dhe gratë e tyre të civilizuara, të veshura bukur dhe që shprehnin dashuri për bashkëshortët..

Por, sapo ata u larguan, unë përsëri u molepsa nga paragjykimi…Fati e deshi që unë dhe Altini të ishim të ftuar të posaçëm në ekspoziten “Wildlife”. të zhvilluar në Kamenicë të Kosovës. Gjatë udhetimit për në Kamenicë, u çudita duke parë aq shumë xhami. Qëlloi muaji i ramazanit dhe kurioziteti më shtynte të mësoja sa më shumë për traditat e tyre fetare. Madje, po si ata ulesha për të ngrënë iftar, Për mua ishte gjë shumë e vecantë pranë tavolinës së madhe, ku njerëzit uronin me dashamirësi njeri- tjetrin: “Zoti ua past pranu agjërimin!”. Gjatë iftarit , përballë gatimeve që kundërmonin nga aroma të këndshme, ne biseduam vëllazërisht për traditat tona fetare, bisedë e cila më bëri të harroja fare që isha ulur me muslimanët. Nuk ishim vetëm ne që hanim iftarin, kishte rretheqark familje të tjera dhe grupe njerëzish, në shoqëri, që hanin bashkërisht. Kjo vëllazëri m’u duk gjë shumë emocionuese, në atë atmosferë magjike. Madje s’po më bënin përshtypje as xhamitë dhe as femrat me kokat e mbuluara. Kthimi nga Kosova, përcjellur me një atmosferë miqësore, më bëri të reflektoja, për t’i parë me një sy tjetër paragjykimet e mia lidhur me fenë muslimane të shqiptarëve të mi. Për herë të parë dëgjova nga fotografi, Granit Hyseni, dy fjalë, “ilahi” dhe “xhemat”, gjatë bisedës dhe unë nuk e bëra veten që nuk e dija kuptimin e tyre, por, ama, i mbajta shënim. Ndërsa nga fotografi tjetër, Arian Mavriqi, sa herë fliste me pasion e dashuri për ndonjë çështje, betohej: ” Pasha t’madhin Zot!” Ai ishte dhe praktikant i fesë muslimane. Çuditesha dhe thosha me vete : “ Ky njeri kaq i mirë si është e mundur të jetë musliman!?”…Kur “ çunat” e “Wildlife” ishin në Divjakë, kështu u thoshim qyshse ata u paraqitën pranë nesh dhe, sot e kësaj dite, në familjen tonë, ashtu i kujtojmë… nuk pinin alkool. Dhe unë i respektoja duke pirë ujë.

Çdo dite kurioziteti im bëhej më i madh. Fillova të kërkoja në google më tepër për fenë muslimane. Por nuk i lidhja dot gjërat, pasi fjalët arabisht s’i kuptoja.Kështuqë personi i parë e i vetem nga i cili mësova njohuritë e mia lidhur me kuptimin e fesë muslimane, u bë miku im, pjestar edhe ai i familjes “ Wildlife”, imami i Bashkisë së Divjakës, Sokol Krasniqi. U takova me Sokolin dhe i thashë se dëshiroja të kisha njohuri më tepër për fenë muslimane: si funksionon? E kisha të domosdoshme pasi, i thashë, nuk ndjehesha mirë përballë “çunave kosovarë”. Me dialektin jam mirë, i thashë, por me fenë tuaj,
jo! Më duket vetja si në xhungël midis tyre, kur ata komunikojnë me njeri-tjetrin, si musliman dhe, në shumë raste nuk i kuptoj. Sokoli më dëgjoj me qetësi dhe vëmendje dhe buzëqeshi. “Më vjenë mirë” tha që po interesohesh për ta njohur fenë muslimane, siç është në të vërtetë, jo si interpretohet dhe keqkuptohet. Unë do të dhuroj dy libra që mendoj se janë bazë për njohuritë që duhet të ketë çdo njeri lidhur me fenë muslimane . Më solli dy libra, me titull “Islami, fe, praktikë, kulturë dhe rend botror” dhe ” Islami si alternativë”. Për gjërat që s’do mundesh t’ i kuptosh , më pyet sa herë të duash. Ashtu bëra. Fillova të lexoja librat e dhuruar të imamit dhe, para meje, çuditërisht. u shfaq botë tjetër, krejt ndryshe nga ç’bombardohej mendja ime vite të tëra. U njoha me pesë shtyllat e besimit Islam, që ishin, Shahadeti , Zeqati, Salati,Sawmi,dhe Haxhi. Pastaj, nëpërmjet google,
mësova dhe mënyrën e praktikimit . Krahas leximit po pasuroja njohuritë me ligjërata dhe muzikë nga jeta e muslimanëve. Dëgjoja këngëtarë të njohur të ilahive, Maher Zain , Sami Yusuf…etj. Një ditë fola me Granitin për këta këngëtar, por pa lënë të kuptonte, se unë e dija që edhe ai i këndonte ilahitë. “Ah..motër, më tha, ata janë ikona…Pastaj, kur lexova shkrime nga dijetarët të kësaj feje, si psh. prej mulla Jakup Hasipi, për ligjëratat e të cilit mblidheshin mijëra njerëz për t’i dëgjuar dhe i fola për poezitë e Fatmir Mujes, vargjeve të të cilit u kthehesha disa herë për ti kuptuar, ai i çuditur e ma ktheu: “ Motër, ku po i din ti këto ? Ndërsa, Arianin e pyeta për një“ajet të ku’ranit” , m’u përgjegj: “O motër, po më çudit! Oh sa xhan të kam, o motra jeme, qe po më flet për këto gjana!
Kështu, muri i padijes në kokën time,fillojë të shëmbej, dalëngadalë… Ato aty ishin, mijëra vjet, por.. Ishte faj im që nuk kisha studiuar… Muslimani nuk ishte më për mua elefant në bulevardin e qytetit… Ishte njeri, si gjithë të tjerët, i cili besonte dhe respektonte Zotin, familjen, shoqërinë, bënte bamirësira pa i njohur njerëzit dhe i donte me gjithë
shpirt krijesat e Perëndisë.
U përpoqa ta ndaja me ju këtë histori, duke menduar se, si unë, mund të ketë të tjerë që ngrenë në kokë mure të padrejtë. Gjërat nuk janë siç duken në këtë jetë, por duhet ti prekësh, t’i njohësh e t’i besosh ato, për të ndihmuar edhe të tjerët…

Me shumë dashuri
Alketa Dinaku Hila