Ballina Lajmet Kosovë Si mund të trajtohet kështu vëllai i dëshmorit të UÇK-së në emër...

Si mund të trajtohet kështu vëllai i dëshmorit të UÇK-së në emër të…UÇK-së?!

Ndodh në Kosovë: deputeti vetëvendosës “merret në krah” nga protestuesit

Një zhvillim i pazakontë ndodhi së fundi në Kosovë, ku një deputet i pushtetit u përballë me një turmë të zemëruar protestuesish, të cilët e trajtuan si top, duke e mbajtur në krah dhe hedhur tej kangjellave të Kuvendit.

Më konkretisht, deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, një ish-zyrtar i Bashkësisë Islame të Kosovës, u ndalua nga protestuesit teksa po tentonte të largohej nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e kapën atë fizikisht dhe e kthyen forcërisht brenda rrethojave të vendosura nga Policia e Kosovës.

Protesta kishte për qëllim që deputetët të mos largoheshin pa u votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Por ironia është se deputeti i keqtrajtuar është vëlla dëshmori. Në një reagim për rastin, analisti Mustafë Bajrami shkruan:

“Trajtimi çnjerëzor që ia bënë sot Prof. Dr. Fahrush Rexhepit është më shumë se turp. Të trajtohet ashtu vëllau i dëshmorit të kombit, nga njerëz që thirren në emër të UÇK-së, është më shumë se skandaloze. Në rastin më të lehtë është axhamillëk dhe injorancë totale!”

Dhe ndërkohë, me 99 vota pro, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë një përgjigje unike aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku deputetët miratuan një deklaratë zyrtare ku hidhet poshtë si i papranueshëm konkluzioni për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, duke e quajtur këtë një përpjekje të padrejtë për të njollosur luftën e pastër çlirimtare të popullit të Kosovës.

Kuvendi ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara që t’i përmbahen mandatit të tyre dhe të mos barazojnë viktimat me agresorin.

Të gjitha institucionet e vendit janë ngarkuar me detyrë urgjente që të bashkohen në një strategji të përbashkët shtetërore, juridike, institucionale dhe diplomatike për të mbrojtur të vërtetën historike.

Dokumenti thekson qartë se liria e Kosovës është rrënjosur te sakrifica e brezave, rezistenca paqësore e Presidentit Ibrahim Rugova, lufta e lavdishme e UÇK-së dhe mbështetja e aleatëve perëndimorë e NATO-s. /tesheshi