Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si po dështon komploti i Netanyahut kundër zgjedhjeve

Si po dështon komploti i Netanyahut kundër zgjedhjeve

Hetimet e para, zbulojnë një realitet tjetër nga skenari alarmist që u servir publikut

“Skandali” që shpërtheu të enjten në mëngjes në Izrael, po merr gjithnjë e më shumë pamjen e një operacioni të improvizuar, të nxitur nga paniku politik dhe të fryrë artificialisht në përmasat e një komploti gjigant të ndikimit të huaj.

Megjithatë, në vend që gjurmët të çojnë drejt Dohas, ato duket se drejtojnë nga Jerusalemi dhe Tel Avivi, ku ndodhen përkatësisht zyra e kryeministrit dhe selia e shërbimit sekret Shin Bet.

Është paradoksale që një kamp politik, i cili prej tre vitesh përdor çdo manovër për të penguar krijimin e një komisioni të pavarur hetimor për masakrën e 7 tetorit, të shfaqet papritur i alarmuar për integritetin e zgjedhjeve.

Përveç qytetarëve arabë të Izraelit, si objektivi i zakonshëm i akuzave, këtë herë në rolin e të dyshuarit është Katari, vendi që Benjamin Netanyahu e ka përshkruar si “kompleks”, ndërkohë që nuk është distancuar nga këshilltarët e tij që kanë punuar për të.

Qëllimi politik i kësaj manovre duket gjithnjë e më i qartë. Partia Likud e Netanyahut nuk po përqendrohet te zbardhja e pretendimeve të ngritura nga kreu i Shin Bet-it, David Zini, por te pasojat që ato mund të prodhojnë në skenën politike.

Të enjten, duke u mbështetur te hetimi për ndërhyrjen e pretenduar të Katarit, Likud kërkoi pezullimin e menjëhershëm të zgjedhjes së kryetarit të ri të Knessetit.

Arsyeja është e thjeshtë: opozita, përfshirë partitë arabe, duket se ka një shumicë të mjaftueshme për të larguar nga posti Amir Ohana, deputetin e Likud-it që drejton aktualisht parlamentin.

Ky do të ishte hapi i parë drejt miratimit të ligjeve që synojnë të zhbëjnë pasojat institucionale dhe juridike të reformës së diskutueshme gjyqësore të qeverisë Netanyahu.

Koalicioni qeverisës doli dobët nga zgjedhjet dhe qeveria përgjegjëse për ngjarjet e 7 tetorit nuk ka gjasa të rikthehet në pushtet në përbërjen e mëparshme. Megjithatë, formimi i një qeverie alternative mbetet i vështirë, për shkak të numrit të deputetëve të partive arabe dhe fushatës së vazhdueshme të Likud-it për të delegjitimuar çdo bashkëpunim me to.

Sipas gazetës Haaretz, Netanyahu, këshilltarët e tij dhe mediat që mbështesin qeverinë po përpiqen ta ruajnë këtë bllokim politik, duke shpresuar ose të sigurojnë një mundësi të re për formimin e qeverisë, ose të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, ku kryeministri beson se mund të ketë rezultate më të mira.

Për këtë qëllim, po hidhen dyshime mbi rezultatin zgjedhor dhe po përhapen akuza për manipulime masive të votave në komunitetet arabe. Kjo skemë është e ngjashme me

përpjekjen e Donald Trump më 6 janar 2021 për të penguar transferimin e pushtetit te Joe Biden, pasi kishte humbur zgjedhjet presidenciale amerikane.

Alarmi u përhap të enjten rreth orës 09:00, kur në televizionet izraelite u publikua lajmi se Shin Bet kishte zbuluar një përpjekje të Katarit për të ndikuar në zgjedhje përmes pagesave prej dhjetëra milionë shekelësh, të cilat dyshohej se ishin shpërndarë nga partitë arabe.

Kreu i shërbimit sekret, David Zini, ia kishte përcjellë pretendimet kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Noam Sohlberg, i cili urdhëroi nisjen e një hetimi.

Likud e shfrytëzoi menjëherë lajmin. Televizioni Channel 14, një nga mediat më besnike të Netanyahut, kaloi në transmetim të posaçëm, ku komentatorët kërkuan jo vetëm anulimin e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Titulli i transmetimit ishte domethënës: “Terror në qendrat e votimit!”.

Por shumë shpejt nisën të shfaqen çarjet në këtë version të ngjarjeve. Nëse ndërhyrja e huaj ishte kaq serioze, përse Zini kishte deklaruar vetëm një ditë më parë se zgjedhjet ishin zhvilluar normalisht?

Dhe kur ishte informuar realisht drejtësia për dyshimet? Sipas të dhënave të publikuara, pretendimet fillestare ishin shumë më të kufizuara dhe paraprake sesa versioni i përhapur të enjten në media.

Dyshimi konkret lidhej me transferimin e disa qindra mijëra shekelëve nga Katari drejt organizatave të lidhura me Listën e Përbashkët arabe.

Një shumë dhe një nivel dyshimi krejtësisht të ndryshëm nga pretendimi për dhjetëra milionë shekelë dhe një operacion të gjerë për manipulimin e zgjedhjeve.

Haaretz vëren gjithashtu se Zini, emërimi i të cilit vitin e kaluar u shoqërua me kundërshtime për mungesën e përvojës së mjaftueshme dhe afërsinë e tij me Netanyahun, e ka trajtuar çështjen pa kujdesin e nevojshëm.

Të enjten në mbrëmje, zëdhënësja e Shin Bet-it u detyrua të sqaronte se hetimi nuk synon të implikojë një komunitet të tërë që ka votuar në mënyrë të ligjshme dhe demokratike, por vetëm individët që mund të kenë shkelur ligjin.

Ndërkohë, vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përpoq të shuante alarmin. Drejtori i përkohshëm i institucionit, Dean Livne, deklaroi se procesi ishte zhvilluar në përputhje me ligjin, se integriteti i votimit ishte ruajtur dhe se sipas informacioneve në dispozicion, nuk kishte asnjë bazë për pretendimet mbi manipulime sistematike.

Kjo fushatë, sipas Haaretz, po ushqen një klimë të rrezikshme politike, ku delegjitimimi i përfaqësimit arab mund të nxisë edhe dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor ose gjatë protestave brenda Izraelit.

Netanyahu duket se po përpiqet të fitojë përmes dyshimeve atë që nuk arriti ta sigurojë përmes votës: mbajtjen e pushtetit dhe pengimin e një shumice alternative.

Por sa më shumë që fryhet skandali, aq më të dukshme bëhen kontradiktat e tij. Dhe komploti për të delegjitimuar zgjedhjet, rrezikon të dështojë pikërisht aty ku duhej të ishte më bindës, te faktet. \tesheshi