Ndërtesa më e famshme e Indisë ka për autor perandorin mysliman Shah Jahan, si një akt suprem dashurie për gruan e tij të ndjerë
Në Indinë e sotme, e vërteta historike po gjendet gjithnjë e më shumë nën rrethimin e një nacionalizmi agresiv që kërkon të fshijë gjurmët e trashëgimisë islame përmes një revizionizmi të rrezikshëm hindu.
Rasti më flagrant i këtij tjetërsimi është sulmi ndaj Taxh Mahalit, simbolit botëror të arkitekturës Mogule, i cili po tentohet të përvetësohet nga nacionalistët hindu përmes teorive konspirative dhe propagandës kinematografike.
Ajo që dikur konsiderohej një teori absurde e skajeve të shoqërisë, sot ka gjetur rrugën drejt masave falë filmit të vitit 2025, “The Taj Story”, i cili riciklon gënjeshtrat e vjetra të pseudohistorianëve si P.N.Oak.
Ky film, i cili paraqet figurën e perëndisë Shiva nën kupolën e mauzoleut, nuk është thjesht një projekt artistik, por një mjet i pastër i deformimit të fakteve që ushqehet nga klima politike e krijuar prej qeverisë së Narendra Modit.
Duke e parë Perandorinë Mogule si një “fuqi të huaj” dhe jo si pjesë integrale të identitetit indian, Partia Popullore Indiane (BJP), po tenton të “pastrojë”, historinë nga çdo element që nuk i përket traditës së tyre fetare, duke promovuar idenë se India është në thelb vetëm një vend hindu.
Megjithatë, historia është e dokumentuar mirë dhe e qartë: Taxh Mahali u ndërtua midis viteve 1632 dhe 1648 nga perandori mysliman Shah Jahan si një akt suprem dashurie për gruan e tij të vdekur, Mumtaz Mahal.
Çdo element arkitekturor, që nga kaligrafia kuranore në mure e deri te simetria e kopshteve, flet me gjuhën e arkitekturës islame, duke rrëzuar çdo pretendim për dhomat sekrete apo etimologji të sajuara si “Tejo Mahalaya”.
Ky tjetërsim i qëllimshëm nuk është thjesht një debat akademik, por një sulm ndaj bashkëjetesës multikulturore të Indisë, ku historia po bëhet viktima kryesore e një ideologjie që kërkon të rishkruajë me forcë atë që koha e ka vulosur prej shekujsh me mermer të bardhë. /tesheshi








