Kryetari i Federatës së Sindikatës së Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se Sindikata e nuk do të pranoj uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
Sipas tij, çështjen e pagave kjo sindikatë e konsideron kapitull të mbyllur.
“Çështja e pagave është kapitull i mbyllur dhe i paprekshëm, nuk duhet madje as të diskutohet ulëja e tyre. Është bërë shumë debat rreth pagave, ndoshta nuk është dashur të bëhet kaq shumë për pagat sa është dashur të bëhet debat për gjendjen në Telekom dhe zhvillimet se çfarë duhet bërë”, tha Balaj.
Sipas tij, nuk duhet të sakrifikohen punëtorët sa herë ka probleme financiare Telekomi.
“Bordi aktual e ka përkrahjen tonë që ta zhvilloj Telekomin dhe jot ë merremi në vazhdimësi me pagat, pasi që tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ne nuk pranojmë se sa herë që Telekomi të ketë problem financiare të sakrifikohet punëtori”, tha Balaj.
Ai fajtor për gjendjen në Telekom i bënë institucionet e vendit.
“Shkaktar numër një për gjendjen në Telekom janë institucionet, vet Qeveria e Kosovës, jo kjo aktualja, por janë të gjithë ministrat e kaluar. Tashmë jemi duke u munduar ta gjejmë një zgjidhje për gjendjen në Telekom”, thotë ai.








