Nevojitet një figurë e papërlyer por edhe mbështetja e hapur e Brukselit dhe izolimi diplomatik i Edi Ramës
Péter Magyar doli nga zemra e regjimit të Viktor Orbánit për t’u bërë makthi më i madh i tij politik. Si ish-bashkëshort i Ministres së Drejtësisë, ai njihte çdo mekanizëm të brendshëm të pushtetit që vendosi të sfidonte.
Ngritja e tij erdhi përmes denoncimit të korrupsionit, duke u kthyer menjëherë në një fenomen elektoral të pandalshëm. Rritja e tij e shpejtë bazohet në një njohje të thellë të elitës hungareze dhe në shfrytëzimin e zhgënjimit të masave.
Ai mbante dikur posterin e Orbánit mbi krevat, por sot përfaqëson forcën që e rrëzoi atë pas gjashtëmbëdhjetë vitesh në pushtet. Me partinë Tisza, ai arriti të mobilizonte fshatrat dhe qytetet që dikur konsideroheshin bastione të pathyeshme të joliberalizmit.
Kritikët e përshkruajnë atë si një njeri me temperament të ashpër dhe një stil udhëheqjeje tejet agresiv. Megjithatë, pikërisht ky pasion dhe padurim u panë si mjetet e nevojshme për të thyer apatinë shoqërore.
Magyar premtoi rikthimin e balancave demokratike dhe një qasje të re pro-europiane për Hungarinë e izoluar. Ai nuk u prezantua si një shenjtor, por si një njeri që e njihte “bishën” nga brenda. Kjo lidhje organike me sistemin i dha kredibilitetin që opozitës tradicionale hungareze i kishte munguar prej vitesh.
Situata në Hungari ka ngjashmëri të forta me realitetin politik në Shqipëri, ku pushteti është i përqendruar te një lider. Ashtu si Orbán, Edi Rama ka ndërtuar një kontroll të gjerë mbi administratën, median dhe burimet ekonomike të vendit.
Ashtu si Hungaria deri dje, edhe Shqipëria vuan nga një lloj apatie ku ndryshimi duket i pamundur pa një faktor tronditës. Në të dyja rastet, opozita klasike shpesh shihet si e konsumuar dhe e paaftë për të ofruar një alternativë frymëzuese.
Por modeli “Magyar” tregon se ndryshimi mund të vijë nga dikush që ka qenë pjesë e sistemit, por që e thyen besnikërinë. Ajo që ndodhi të dielën në Hungari, dëshmon se kur shoqërisë i ka ardhur në majë të hundës me një qeveri, mjafton një shkëndijë për të hedhur në erë kontrollin shumëvjeçar të pushtetit.
Brenda shumicës aktuale socialiste, emra si Elisa Spiropali apo Erion Braçe përfaqësojnë profile me peshë të ndryshme politike. Spiropali mban një pozicion kyç drejtues, ndërsa Braçe shfaqet shpesh si një zë kritik ndaj fenomeneve të caktuara brenda partisë.
Megjithatë, ka shumë dyshime nëse ndonjëri prej tyre do të guxonte të krijonte një lëvizje rebele si ajo e Magyar. Në anën tjetër, figura si Agron Shehaj apo Ilir Alimehmeti në opozitë shihen si individë më pak të konsumuar nga politika e vjetër.
Me partinë e tij “Mundësia”, Shehaj është ndër opozitarët më aktivë në këtë legjislaturë, duke shënjestruar oligarkët më pranë Ramës. Ndërsa demokrati Alimehmeti gëzon respekt si një profesionist që mund të tërheqë shtresën e mesme, edhe pse pengesë e fortë mbetet “dinozauri” Berisha.
Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit dhe “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt përfaqësojnë një tjetër rrymë të reagimit qytetar. Qori fokusohet te të drejtat e punëtorëve dhe barazia sociale, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme, por ende të kufizuar.
Lapaj kërkon ndryshime sistemike përmes aktivizmit ligjor dhe takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët në çdo cep të vendit. Po a do të mundet ndonjë prej këtyre aktorëve të unifikojë pakënaqësinë masive në një front të vetëm?
Rasti i Magyar dëshmon se suksesi kërkon një kombinim të fatit, guximit personal dhe një momenti të dobësisë së pushtetit. Shqipëria po pret momentin e saj “Tisza” për të parë nëse mund të shembet muri i pushtetit.
Është e vërtetë që izolimi ndërkombëtar luajti një rol katalizator në rënien e dominimit të Orbánit, duke krijuar një çarje ku mund të depërtonte lëvizja e Magyar. Që nga viti 2022, Brukseli përdori sanksione të forta financiare, duke bllokuar miliarda euro për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit.
Ky presion ekonomik e dobësoi imazhin e Orbánit si “garantuesi i begatisë”, duke i lënë hapësirë një figure të re që premtonte pajtim me Evropën. Në rastin e Shqipërisë, një skenar i ngjashëm i “rrethimit diplomatik” mund të ndryshonte rrënjësisht ekuilibrat e brendshëm politikë, duke i dhënë dorë rotacionit politik.
Nëse partnerët strategjikë do të zhvendosnin fokusin nga stabiliteti drejt një mbështetjeje të hapur për alternativat e reja, do të rritej kostoja politike e pushtetit të Ramës.
Një favorizim i dukshëm ndërkombëtar i figurave të reja, do të ishte sinjali përfundimtar që pret shoqëria shqiptare për të besuar se ndryshimi është i mundur. /tesheshi





