Partia irlandeze Sinn Féin ka njoftuar se do të bojkotojë edhe këtë vit aktivitetet e Ditës së Shën Patrikut në Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur krizën humanitare dhe atë që e cilëson si gjenocid izraelit në Gaza.
Presidentja e partisë, Mary Lou McDonald, tha se situata në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor nuk është përmirësuar që nga bojkoti i vitit të kaluar. Ajo theksoi se sulmet izraelite vazhdojnë dhe se Sinn Féin do të përdorë zërin e saj për të kërkuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare, pa e cenuar marrëdhënien historike mes popullit irlandez dhe atij amerikan.
Vendimit iu bashkua edhe Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, e cila tha se nuk mund të marrë pjesë në festimet në Uashington për shkak të vazhdimit të sulmeve izraelite dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
Festimet e Ditës së Shën Patrikut në Shtëpinë e Bardhë konsiderohen tradicionalisht një simbol i marrëdhënieve të ngushta politike dhe kulturore mes Irlandës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe një mundësi për të theksuar rolin e SHBA-së në procesin e paqes në Irlandën e Veriut. /mesazhi





