Sirenat e alarmit ajror u aktivizuan në Bahrein dhe Kuvajt, pas sulmeve hakmarrëse amerikane kundër Iranit si përgjigje ndaj sulmeve të fundit të Teheranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
“Sirena është aktivizuar. Qytetarët dhe banorët këshillohen të qëndrojnë të qetë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Bahreinit në një postim në rrjetin social amerikan X.
Ministria nuk specifikoi menjëherë arsyen e alarmit.
Zyrtarë amerikanë, sipas faqes së lajmeve Axios, thanë se ushtria iraniane lëshoi dronë drejt Bahreinit.
Ushtria e Kuvajtit, nga ana tjetër, në një postim në X tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore “aktualisht po përballen me sulme armiqësore me raketa dhe dronë”.
“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë vëren se, nëse dëgjohen tinguj shpërthimesh, ato janë rezultat i sistemeve të mbrojtjes ajrore që po interceptojnë sulmet armiqësore”, thuhej në deklaratë, ndërsa u bëhej thirrje të gjithëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe mbrojtjes të lëshuara nga autoritetet.
Alarmet u aktivizuan pak kohë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte përfunduar një raund të ri sulmesh ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva në përgjigje të sulmeve të fundit iraniane ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në një deklaratë tha se sulmet u kryen “si një përgjigje e menjëhershme ndaj sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit”.




