Siri, regjimi i Asadit vazhdon sulmet në Idlib

Pjesëtarët e regjimit sirian dhe grupet e huaja terroriste të cilat mbështeten nga Irani, pavarësisht marrëveshjes së Soçit kanë vazhduar të kryejnë sulme ndaj zonave të deeskalimit në Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e regjimit sulmuan lagjet dhe vijat e frontit të opozitës siriane në zonat nga të cilat në përputhje me marrëveshjen e Soçit është tërhequr armatimi i rëndë.

Burimet lokale thonë se objektivat e granatimeve dhe sulmeve me raketa ishin zonat Latamine, Maarakbe, Lahaye dhe Zakat në Hama, si dhe fshatrat Zekat dhe Tel Wasit në luginën Ghab.

Drejtori i Mbrojtjes Civile në Idlib, Mustafa Haj Jusuf, deklaroi se forcat e regjimit kanë kryer të paktën 50 sulme mbi pikat e kontrollit në Idlib.

Siç rrëfeu ai, në shënjestër ishin disa zona të caktuara në juglindje të Idlibit, ku fatmirësisht nuk kishte viktima.

Gjatë sulmeve mbi Idlibin pas nënshkrimit të marrëveshjes më 17 shtator, janë vrarë 33 civilë dhe një numër i konsiderueshëm është plagosur.

Ndonëse opozita tërhoqi armët e rënda nga zona të caktuara, forcat e regjimit vazhdojnë të kryejnë sulme.