Situate katastrofike nga Covid-19 në Tunizi

Kombi i Afrikës së Veriut regjistroi të martën 9,823 raste koronavirusi dhe 134 vdekje, numri më i lartë ditor nga virusi.

Sistemi shëndetësor i Tunizisë është “shembur” nën peshën e pandemisë COVID-19, tha të enjten ministria e shëndetësisë, duke përshkruar ndikimin e virusit në vend si “katastrofike”.

Spitalet në vendin e Afrikës Veriore kanë parë një fluks të konsiderueshëm pacientësh gjatë dy javëve të fundit.

Vendi me 12 milion banorë ka pësuar gati 465,000 raste dhe 15,735 vdekje.

“Ne jemi në një situatë katastrofike … Sistemi shëndetësor u shemb, ne mund të gjejmë shtrate me shumë vështirësi,” tha zëdhënësja e ministrisë Nisaf Ben Alaya.

“Ne po përpiqemi të sigurojmë oksigjen … Mjekët po vuajnë nga raskapitja,” tha ajo, duke shtuar se “anija po fundoset” dhe u bëri thirrje të gjithë tunizianëve të bashkohen në përpjekjet për të luftuar pandeminë.

“Situata shëndetësore do të përkeqësohet nëse përpjekjet nuk bashkohën,” shtoi ajo.

Disa trupa të viktimave të COVID-it kanë mbetur të shtrirë në dhoma pranë pacientëve të tjerë deri në 24 orë sepse nuk kishte personel të mjaftueshëm për të organizuar transferimin e tyre në morgje.

Faqja në Facebook e ministrisë së shëndetësisë tha se spitalet speciale në terren të ngritura muajt e fundit nuk janë më të mjaftueshme.
Që nga 20 qershori, autoritetet kanë vendosur një bllokim total në gjashtë rajone në të gjithë Tunizinë, duke përfshirë Kairouan, pasi numri i rasteve COVID kishte ngritje spirale.

Kryeqyteti Tunizi është vendosur nën bllokim të pjesshëm që nga java e kaluar, me bllokime të fundjavës nga 10 korriku për të parandaluar grumbullimin në plazhe.

Në të gjithë Tunizinë, vetëm 4 përqind e popullsisë kanë marrë dy doza të vaksinës.

Rastet në rritje në Afrikë

Rastet e koronavirusit janë në rritje në Afrikë që nga fillimi i valës së tretë në kontinent në maj.
Gjatë javës që përfundoi më 4 korrik, më shumë se 251,000 raste të reja COVID-19 u regjistruan në kontinent, një rritje prej 20 përqind krahasuar me javën e kaluar dhe një rritje prej 12 përqind nga vala e mëparshme e Janarit.

Gjashtëmbëdhjetë vende afrikane tani po shohin një rikthim të virusit me llojin më ngjitës Delta që është zbuluar në 10 prej tyre.

Afrika e Jugut është vendi i goditur më keq në Afrikë me infeksione të reja ditore rekorde prej 26,000 rastesh gjatë fundjavës, nxitur nga varianti Delta.

Shkalla e vaksinimit mbetet e ulët me vetëm 16 milion njerëz – 2 përqind e popullsisë afrikane – të vaksinuar plotësisht. /mesazhi.com