Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “S’ka më kohë për të humbur” – OKB kërkon ndihmë urgjente për...

“S’ka më kohë për të humbur” – OKB kërkon ndihmë urgjente për Gazën

Tom Fletcher

Shefi i ndihmave të OKB-së ka bërë thirrje për qasje të menjëhershme dhe të pakufizuar humanitare në Rripin e Gazës, duke theksuar se civilët kanë nevojë të dëshpëruar për ndihmë.

“Ne kemi furnizimet, planin, vullnetin dhe rrjetet për të shpërndarë sasi masive ndihmash shpëtuese, në përputhje me parimet humanitare. Mjaft më. Na lini të punojmë. Nuk ka më kohë për të humbur,” shkroi Tom Fletcher në platformën X.

Kriza humanitare në Gaza ka arritur nivele të paprecedentë, me pjesën më të madhe të popullsisë që përballet me uri ekstreme. Prej fillimit të bllokadës në mars, vetëm një sasi minimale ndihmash ka hyrë në territor.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka zhvilluar një ofensivë të ashpër, duke vrarë afro 54,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ndërsa ka refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim.

Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte në Gaza. Ndërkohë, Izraeli përballet edhe me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shumë vende perëndimore janë kritikuar për mosveprim përballë krizës në përkeqësim. Disa prej tyre kanë paralajmëruar sanksione apo rishikim marrëveshjesh me Izraelin nëse situata nuk ndryshon. /mesazhi