Ekselenti i Mjekësisë që u servir nga kryeministri si kultivues droge(!)
Edi Rama, në vijim të qëndrimeve gati skandaloze, mbajti një konferencë pa praninë e asnjë mediaje, duke denoncuar, sipas tij, persona me precedentë kriminal si pjesëmarrës në protestat e dhunshme. Mes tyre dhe një 20-vjeçar e inicialet J.S, për të cilin kryeministri tha se është nën hetim pasi akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Mirëpo, një i ri i identifikuar si Jon Sinoimeri reagoi nga sheshi para Kryeministrisë, duke u prezantuar si student i Universitetit të Mjekësisë dhe thekson se i vetmi shoqërim i tij në polici ka qenë atë martën e kaluar pasi doli në protestë. Po ashtu, Sinoimeri tregoi me foto dhe mesataren e studimeve të larta, që deri më tani e ka 10.0.
“Kryeministri ka dalë dhe më ka akuzuar mua për vepër penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Shikojeni të gjithë (heq maskën) nuk kam asnjë lloj turpi. Jam student i mjekësisë nuk ka nevojë se çfarë legjendash me mbret shpik ky. Meqë donte të cenonte na quante organizatë Antifa e neokomuniste.
Dua të tregoj edhe notat që kam me mesatare 10.0. Dje tha treni sot dolën edhe prodhues të lëndëve narkotike. Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori, këto janë shpifje nuk e di ku i gjen. Kam qenë të martën e kaluar në polici sepse dola në protestë paqësore më mbajtën 7 orë e gjysmë.”, tha Sinoimeri nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Megjthatë, student në fjalë nuk përmendi hapjen e një procesi të mundshëm gjyqësor ndaj Ramës. Në fakt, duhet ta bëjë dhe vetëm në emër të vetes së tij. /tesheshi







