Sllovakia kritikon veprimin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë

Robert Fico

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka kritikuar ashpër veprimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, duke thënë se ai tregon një shpërbërje gjithnjë e më të thellë të rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në Facebook, Fico theksoi se e drejta ndërkombëtare po anashkalohet dhe se fuqia ushtarake po përdoret gjithnjë e më shpesh pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“E drejta ndërkombëtare nuk zbatohet, fuqia ushtarake përdoret pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kushdo që është i madh dhe i fortë bën çfarë të dojë për të promovuar interesat e veta,” shkroi Fico.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur ndërhyrja e SHBA-së në Venezuelë ka nxitur reagime dhe shqetësime të shumta në arenën ndërkombëtare. /mesazhi