Sokoli merr drejtimin e Malishevës

Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli ka marrë drejtimin e skuadrës së Malishevës.

“Profa” i cili që një kohë të gjatë nuk kishte drejtuar ndonjë skuadër, është rikthyer tani me ekipin e Superligës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vet Sokoli për Express, teksa tha se ka nënshkruar deri në fund të këtij sezoni.

Tutje, ai tregoi edhe objektivat e tij këtë edicion.

“Sapo nënshkruan kontratën me presidentin e Malishevës. Kemi kontratë deri në fund të kampionatit. Synimi kryesor është mbetja në elitë. Nëse na ofrohet diçka më shumë, shohim”, deklaroi Sokoli.

Malisheva nënshkroi me Bylbyl Sokolin, pasi paraprakisht Sami Sermaxhaj u largua nga pozita e trajnerit.

Aktualisht, Malisheva gjendet në vendin e tetë në elitën e futbollit kosovar dhe detyra e Sokolit do të jetë të shpëtojë ekipin nga rënia.