Sokrati dhe mjeku xheloz

Thuhet se Sokrati kishte një fqinj që njihej si mjek, por qe e xhelozonte Sokratin, saqë një ditë, vajti tek mbreti dhe i tha:”E gjykoj krejt të gabuar faktin që të gjithë e thërrisni Sokratin si Mjeku i parë.”
Mbreti i kërkoi një argument që ti tregojë se ishte më i aftë se Sokrati dhe ai do ia jepte atij titullin Mjeku i parë.
Mjeku i tha:”Unë do i jap një gotë me helm të përgatitur nga unë, ai do të më japë mua një gotë helm të përgatitur prej tij. Kush e trajton veten nga helmi i pirë, meriton titullin Mjeku i parë.
Mbreti pranoi dhe këtë test ia paraqiti dhe Sokratit, i cili edhe ai e pranoi sfidën. Testi do të zhvillohej pas dyzet ditësh. Menjëherë, Sokrati hodhi një sasi uji në disa gypa dhe u kërkonte nxënësve të tij që ti tundin herë pas here, për dyzet ditë.
Ditën e shënuar, Sokrati e gjerbi helmin e mjekut kundërshtar, i cili dha efekt të menjëhershëm, Sokrati u zbeh në fytyrë, iu shterën forcat, e kapën ethet … megjithatë, arriti ta trajtojë veten dhe e kaloi këtë fazë.
Ishte radha e mjekut xheloz dhe smirëmadh. Sokrati ia zgjati helmin e përgatitur prej tij për dyzet ditë dhe mjeku e rrëkëlleu. Me ti rënë në bark, mjeku u zbeh në fytyrë dhe për disa minuta dha shpirt.
Të gjithë shtangën. Mbreti ia hodhi sytë Sokratit, si për ta pyetur se çfarë ishte ai helm i fortë, por Mjeku i parë foli dhe tha:”Lartësia juaj! Nuk i dhashë të pijë veçse një gotë me ujë dhe ja ku po e pij dhe vetë para teje për ta vërtetuar këtë. Kështu, nuk e vrava unë, por e vrau frika dhe tmerri që e kishte kapluar.”
Në të njëjtin kontekst, thuhet se dreri vrapon me shpejtësi 90 km në orë, ndërkohë që maksimumi i shpejtësisë së një luani arrin deri në 58 km në orë.
Megjithatë, dreri bie pre e luanit dhe këtë nuk e shpjegon gjë tjetër veç faktit se drerët i kaplon frika prej luanit, gjë e cila ia shteron forcat dhe dorëzohet.

Nga: Elmaz Fida