Sot do të luhen edhe dy ndeshje në kuadër të Superligës së Kosovës në Futboll.
Vëmendja më e madhe do të jetë padyshim tek derbi i Anamoravës, mes Dritës dhe Gjilanit, shkruan lajmi.net.
Në takimin ku skuadra e Gjilanit është vendase në letër, pritet që të ketë spektakël si në gjitha përballjet e ‘skifterave’ dhe ‘intelektualëve’.
Për shkak të interesimit shumë të lartë dhe mos mundësisë së stadiumit në Gjilan për të përballuar këtë interesim, federata ka vendosur që kjo ndeshje të luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Ndeshja Gjilani – Drita do të luhet me fillim nga ora 20:00, në Prishtinë, ku stadiumi pritet të jetë i mbushur.
Ndeshja tjetër që do të luhet në kuadër të kësaj xhiroje është ajo mes Ballkanit dhe Flamurtarit, e cila është direkte për mbijetesë.








