Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka thënë të enjten se Spanja është e gatshme të dërgojë trupa paqeruajtëse jo vetëm në Ukrainë por edhe në Palestinë “nëse ajo mundësi arrihet”.
Këto deklarata, Sanchez i bëri duke folur në hapjen e Konferencës së 10-të të Ambasadorëve në Madrid.
Ai shtoi se, Spanja ka mundësi për herë të parë të bëhet pjesë e dizajnimit dhe implementimit të arkitekturës globale të sigurisë, raporton El Pais.
Spanja synon të ndjekë një kurs të ngjashëm “kur më në fund të mund të ecim përpara me këtë detyrë paqeje dhe, në planin afatmesëm, shpresojmë më shpejt, me njohjen e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës”, shtoi ai.
Duke iu referuar Lindjes së Mesme, Sanchez e lidhi çdo vendosje të ardhshme të trupave spanjolle me përparimin drejt paqes dhe njohjen e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.
Përfshirja e Spanjës deri më tani ka qenë e kufizuar në një kontingjent policor në misionin e BE-së që mbikëqyr kalimin kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit.



