Numri i vdekjeve dhe infeksioneve të përditshme me COVID-19 në Spanjë ra ndjeshëm përsëri sot, sipas të dhënave të Ministrisë Spanjolle të Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat zyrtare konfirmuan 164 vdekje të tjera në 24 orët e fundit, që është numri më i ulët ditor i vdekjeve që nga 18 marsi.
Numri i infeksioneve të reja të konfirmuara gjithashtu ra në nivelet e para masave të izolimit. Me 838 infeksione të tjera të konfirmuara, Spanja regjistroi bilancin më të ulët të rasteve të reja që nga 11 marsi.
Gjithsej, të paktën 25.264 njerëz në Spanjë kanë vdekur nga COVID-19 dhe 217.466 njerëz janë infektuar. Nga ato raste të konfirmuara, 118.902 njerëz janë shëruar, 1.654 në 24 orët e fundit.
Ndërsa vendi po shënon zbehje të fazës aktuale akute të sëmundjes, të hënën zyrtarisht do të fillojë të parën nga katër fazat e zbutjes. Nesër, disa biznese, si parukeritë, dentistët dhe dyqanet e pajisjeve do të fillojnë të operojnë, por klientët do të lejohen vetëm duke cektuar takim paraprakisht.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se planifikon të vazhdojë shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Spanjë deri në përfundimin e përshkallëzimit, i cili mund të jetë në fund të qershorit.
Megjithatë, ndërsa tensionet politike rriten, disa parti që më parë mbështesnin qeverinë, tani kërcënojnë të bllokojnë shtrirjen e masave emergjente.
“Ne nuk kemi asnjë plan B. Plani i vetëm është gjendja e alarmit”, tha Sanchez në një konferencë për media të shtunën, duke shkaktuar reagime te disa politikanë të opozitës.
“Sanchez nuk ka plan B ose A. Ai nuk mund ta marrë vendin peng për të mbuluar paaftësinë e tij”, shkroi në Twitter Pablo Casado, udhëheqësi i Partisë Konservatore Popullore.
“Ne duhet të riaktivizojmë ekonominë me testime masive për të ndaluar infektimet dhe falimentimin e shtetit tonë të mirëqenies”, shtoi ai.
Në Spanjë, gjendja e jashtëzakonshme normalisht mund të zgjasë maksimum 15 ditë. Këtë javë, politikanët në parlamentin e ndarë të Spanjës do të votojnë nëse do të mbështesin ose jo një shtyrje tjetër të masave të qeverisjes emergjente, të cilat skadojnë fundjavën e ardhshme.
Sanchez njoftoi gjithashtu se duke filluar nga e hëna, mbajtja e maskave në transportin publik do të jetë e detyrueshme.





