Ballina Kuriozitete Spektakël i zjarrtë, zgjohet sërish një nga vullkanet më aktivë të botës

Spektakël i zjarrtë, zgjohet sërish një nga vullkanet më aktivë të botës

Vullkani Kilauea në Hauai ka nisur të nxjerrë sërish lavë nga krateri rreth një herë në javë që prej fundit të vitit të shkuar duke ‘i gostitur’ sytë e banorëve, udhëtarëve dhe shikuesve online me pamjet mahnitëse.

Të martën, vullkani pati episodin e 32-të që prej dhjetorit. Shkencëtarët besojnë se të gjithë bëjnë pjesë në të njëjtin shpërthim pasi magma ka ndjekur të njëjtin shteg drejt sipërfaqes.

Lava është kufizuar brenda kraterit të Parkut Kombëtar të Vullkaneve në Hauai dhe nuk ka kërcënuar shtëpitë apo godinat.

Kilauea është në ishujt Hauai, më i madhi i arkipelagut. Ai gjendet rreth 320 kilometra në jug të Honolulusë.

Shkencëtarët nuk e dinë se kur mund të mbarojë shpërthimi apo sesi mund të ndryshojë. Shpërthimi mundet edhe të ndalojë nëse furnizimi i magmës ndërpritet.

Me ndihmën e sensorëve që dallojnë tërmetet dhe ndryshimet e magmës, ata mund të vlerësojnë një mesatare ditësh apo edhe një javë përpara se kur lava mund të dalë sërish.

Në park, numri i vizitorëve është rritur pasi në prill shënoi 49% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Gazi vullkanik, xhamat dhe hiri mund të jenë të rrezikshëm. Ata që dëshirojnë ta shijojnë spektaklin e zjarrtë gjatë natës duhet të marrin gjithnjë një elektrik dore.