“Spiegel”: Gjermania do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë

Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, të premten.

Ditë më parë, Gazeta gjermane Spiegel, pati raportuar se autoritetet gjermane janë duke e shqyrtuar marrjen e një vendimi të tillë, për ta përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.

Po të premten, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka paralajmëruar përforcime shtesë të trupave të KFOR-it.

Më 1 tetor, Britania e Madhe ka konfirmuar se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë.