Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga homologu i saj maqedonas, Timço Mucunski, transmeton Anadolu.
– Mucunski: Lidhjet kulturore midis dy vendeve janë të forta
“Pas hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Strugë, pritet që vitin e ardhshëm të hapet edhe Konsullata jonë në Korçë dhe po diskutojmë lidhje në fusha të ndryshme, fqinjësi të mirë dhe shkëmbim projektesh të ndryshme”, deklaroi në konferencën për mediat ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski me homologen e tij shqiptare, ministren e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Spiropali, e cila ndodhet në Shkup në vizitën e saj të parë zyrtare.
Mucunski tha se lidhjet kulturore midis dy vendeve janë të forta si dhe në fushën e mbrojtjes së pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, gjë që, sipas tij, dëshmohet nga disa aktivitete të kryera gjatë vitit të kaluar.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në nivel dypalësh lidhur me çështjet që lidhen me mbrojtjen e pakicës kombëtare maqedonase që jeton në Republikën e Shqipërisë. Ne vazhdojmë së bashku përmes prizmit të shumë nismave që mund të na bashkojnë. Unë dhe Elisa jemi takuar shpesh kohët e fundit, në shumë forume të ndryshme, të përqendruara në prioritetet tona të përbashkëta. Jam veçanërisht i kënaqur që brenda mandatit të saj si Ministre e Çështjeve Evropiane dhe Punëve të Jashtme, ajo ka vendosur të bëjë një nga vizitat e saj të para në rajon pikërisht në Shkup”, tha Mucunski.
– Spiropali: Mbështesim fuqimisht rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut
Ministrja Spiropali tha se kur dy vende kanë vullnet real dhe qëllime të përbashkëta, gjejnë kohë për vizita dhe bashkëpunim të përbashkët në të gjitha sferat.
Ajo theksoi se “gjeografia na ka bërë si fqinjë, historia na ka mësuar të jemi miq, ekonomia na ka bërë partnerë dhe koha ku jetojmë na kërkon të jemi aleatë”.
“Integrimi evropian është objektivi numër një i politikës së jashtme shqiptare, por edhe i kombit shqiptar. Prandaj, për Shqipërinë, është një arritje që në vetëm 13 muaj hapëm me sukses kapitujt e negociatave. Progres raporti i vitit 2025 qartësisht vlerësoi reformat e thella, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, funksionimit të institucioneve të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e minoriteteve. Ai(progres raporti) konfirmoi dhe një herë, se rruga jonë është e duhura dhe se e ardhmja evropiane e Shqipërisë është e pandashme nga trajektorja e Ballkanit Perëndimor”, tha Spiropali.
“Ne nuk e shohim këtë proces si një garë midis vendeve kandidate, por si një rrugë që ndajmë së bashku, drejt atij që është një destinacion i pashmangshëm dhe një përkatësi natyrale e popujve tanë”, tha kryediplomatja e Shqipërisë.
Ministrja Spiropali theksoi se e mbështesin fuqimisht rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Një Maqedoni e Veriut që avancon në standarde, në drejtësi funksionale, në institucione të forta është investim për sigurinë e gjithë rajonit. Shqipëria e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, jo thjesht si fqinj, me të cilin ndajmë një të ardhme të përbashkët, por edhe sepse këtu jeton një komunitet shtetformues shqiptar”, tha ajo.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali do të pritet edhe nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeparlamentari Afrim Gashi.


