Në kohët e fundit, platforma TikTok është përhapur në të gjithë botën dhe është bërë një nga angazhimet kryesore të të rinjve. Ky aplikacion, i cili u lançua në Kinë disa vite më parë, fitoi famë me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Problemi kryesor i tij është se i mban njerëzit të zënë për orë të tëra, pasi përmban video të shkurtra që nuk i kalojnë dhjetë minuta. TikTok-u i jep mundësinë çdokujt të ngarkojë përmbajtjen e tij lehtësisht nga telefoni, duke krijuar kështu një shumëllojshmëri videosh të shkurtra nga e gjithë bota, të cilat tërheqin shikuesit dhe i bëjnë ata të kalojnë nga një video në tjetrën, derisa minutat dhe orët u ikin pa u ndier.
Për këtë arsye, e gjithë bota është magjepsur pas këtij aplikacioni, dhe këtu nuk përjashtohen as myslimanët. Shumë të rinj ndjekin gjithçka që gjejnë në internet, pa marrë parasysh vlefshmërinë apo ndalimin e saj. Sapo një person hyn për të eksploruar TikTok-un, ai përballet me përmbajtje të dobët dhe një nivel të ulët etik. Ky aplikacion duket sikur ka mbledhur të gjitha gjërat negative të internetit nëpërmjet videove të shumta, duke e shndërruar atë në një “depozitë mbeturinash” të botës virtuale.
Është për të ardhur keq teksa shohim shumë të rinj myslimanë të cilët shikojnë lloj – lloj videosh me përmbajtje që goja nuk t’i zë t’i thuash. Djemtë ndajnë video me përmbajtje pa asnjë vlerë dhe imitojnë Perëndimin dhe elementët më të degjeneruar të shoqërisë së tyre në çdo gjë. Ndërsa tek vajzat, situata është edhe më e rëndë; ato kanë braktisur hixhabin, bisedojnë me djemtë në chat dhe në dhoma zanore pa pikë turpi. Duket sikur të gjithëve u është dhënë liri e pakufizuar, si djemve ashtu edhe vajzave, pa asnjë kufizim, pa ndonjë mbikëqyrje apo përgjegjësi. A thua vallë ka ardhur Dita e Gjykimit dhe të gjithë ne kemi hyrë në Xhenet?! Tashmë nuk po e dimë çfarë është hallall dhe haram, sepse mëkatet jo vetëm që bëhen haptazi, por askush nuk pendohet dhe askush nuk i trembet ndëshkimit të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “A mos vallë ndihen të sigurt nga dënimi i Allahut? Nuk ndihet i sigurt nga dënimi i Allahut përveç populli i humbur.”[1]
Kështu ne i shohim të rinjtë tanë teksa humbin orë e ditë të tëra në këtë aplikacion, duke shpërdoruar vitet më të rëndësishme të jetës së tyre, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur faljes së namazit, leximit të Kuranit, kërkimit të dijes apo qoftë edhe studimit të mësimeve.
Çuditë e TikTok-ut
Ndër gjërat më të çuditshme që kemi parë në këtë aplikacion është shfaqja e vajzave me hixhab duke kërcyer, djem dhe burra që vendosin grim, pleq që kërcënojnë me këngët më të ulëta, nëna që filmojnë vajzat e tyre për të fituar para, dhe shumë gjëra të tjera të habitshme. Vallë ku është devotshmëria dhe frika nga Allahu? Ku janë zhdukur morali dhe vlerat? A kanë harruar ata se Allahu është i Plotfuqishëm të na zhdukë të gjithëve në një çast, dhe se zemërimit të Tij nuk mund t’i bëj ballë askush? Apo kanë harruar mësimet e Islamit? Ata ose nuk dinë, ose nuk u intereson fare, ose nuk e marrin në konsideratë faktin se Allahu i sheh. Allahu i Madhëruar thotë:”Dhe Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata veprojnë.”[2]
Sa e çuditshme është mënyra se si interneti po i ndryshon njerëzit me një shpejtësi të frikshme! Rrjetet sociale i kanë devijuar shumë prej tyre, teksa – lehtësisht – i shohim të rinjtë myslimanë që po imitojnë Perëndimin dhe jobesimtarët në gjithçka. Madje, është bërë e vështirë të dallosh një mysliman nga një jo-mysliman. Këtë e ka parashikuar edhe Profeti (a.s) kur ka thënë: “Do të ndiqni rrugën e atyre që ishin para jush pëllëmbë pas pëllëmbe dhe krah pas krahu, derisa edhe sikur të hynin në vrimën e hardhucës, ju ju do t’i ndiqnit ata.” Sahabët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a e ke fjalën për hebrenjtë dhe të krishterët?” Ai tha: “Po, për kë tjetër?”[3]
Sigurisht, ne nuk mund të mohojmë se TikTok-u ka video me përmbajtje të dobishme,siç janë recitimet e bukura të Kuranit dhe ligjëratat e dijetarëve. Allahu i shpërbleftë ata që i publikojnë këto video. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush ka fjalë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam prej myslimanëve?”[4] Megjithatë, vërehet se shumica e videove kanë përmbajtje të dëmshme dhe nuk përcjellin asnjë dobi. Prandaj, është e këshillueshme që të shtohen kanalet islame në këtë platformë dhe të zgjerohet aktiviteti i tyre. Kjo duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e dijetarëve dhe studentëve të dijes, në mënyrë që të përhapet sa më shumë e mira dhe të zvogëlohet ndikimi i përmbajtjeve të pahijshme.
Problemet e TikTok-ut
TikTok-u ndikon negativisht në përqendrimin tonë dhe e zvogëlon ndjeshëm përqendrimin. Kjo dukuri është quajtur “Truri i TikTok-ut” (TikTok Brain). Për shkak të çlirimit të shpejtë të hormonit të dopaminës nga videot e shkurtra dhe të pafundme, bëhet më e vështirë për shikuesit e rinj që të përqendrohen në aktivitete më intesitet më të ngadaltë. Efekti që TikTok – u ka lënë tek njerëzit është sikur t’i kishim futur fëmijët në një dyqan ëmbëlsirash ku gjithçka është shumë tërheqëse dhe e shpejtë.
Padyshim kjo dukuri ka një ndikim negativ në procesin e tyre të mësuarit dhe aftësisë për të kuptuar gjërat, duke e kundërshtuar kështu objektivin e përgjithshëm të Kuranit, i cili është përmirësimi i jetës individuale dhe shoqërore. Dëmi i kësaj dukurie është i madh, veçanërisht te fëmijët. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka dëm dhe as shkaktim të dëmit (në Islam).”[5] Për këtë arsye, është më e udhës që të largohemi prej tij dhe të mos i mësojmë fëmijët të jenë të varur nga ai.
Një nga problemet e TikTok-ut është gjithashtu se ai përzien videot e mira dhe të këqija për shikuesin, dhe duket se kompania e bën këtë qëllimisht. Teksa përdoruesi hyn për të parë një temë të caktuar, ai vëren se lloji i përmbajtjes ndryshon papritur në videon e radhës në diçka krejtësisht pa lidhje dhe shpeshherë edhe gjëra të ndaluara. Për këtë arsye, është më mirë të qëndrohet larg tij, pasi ai çon në mëkate dhe shpërdoron kohën e çmuar, të cilën secili prej nesh ka nevojë që ta shfrytëzoje atë për t’u përgatitur për një Ditë kur do të ketë më shumë nevojë se kurrë për çdo vepër të mirë që mund ta ndihmojë. Si mund të ketë një përdorues i tij shqetësim për botën tjetër, kur nuk i ka mbetur më kohë për të kërkuar dije, për të falur namazin e natës, për të përmendur Allahun, për të kërkuar falje dhe për të kujtuar mëkatet e tij në mënyrë që të pendohet prej tyre?
Engjëlli i vdekjes mund të vijë dhe mund të marrë shpritin e gjithsekujt prej nesh, teksa ne po përdorim këtë aplikcion duke qenë në një gjendje pakujdesie dhe humbjeje. A nuk do të ishte më mirë që ta linin këtë aplikacion dhe të pendoheshin para se të jetë tepër vonë? Koha e një myslimani është më e çmuar sesa të humbet në këtë aplikacion. E lavdëruar qoftë Allahu që na ka lënë derën e pendimit të hapur me mirësinë e Tij, dhe nuk ka vend për dëshpërim nga falja dhe mëshira e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate! Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Mëshiruesi, Falësi!”[6]
Le të zgjedhim burime hallall për jetesën, larg mëkateve dhe dyshimeve, dhe të kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga sprovat, ato që janë të dukshme dhe ato që janë të fshehura. I lutemi Atij të zgjojë rininë tonë për çështjet e Ahiretit dhe t’i mbrojë ata nga sprova e TikTok-ut dhe të tjera si ai.
Autor: Menal Muhamed
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure A’raf: 99.
[2] – Sure En’am: 132.
[3] – Buhariu.
[4] – Sure Fussilet: 33.
[5] – Ibn Maxheh dhe Ahmedi.
[6] – Sure Zumer: 53.







