Sprova si pastrim e lartësim

Dr. Ajni Sinani

Sprova është një nga ligjet e kësaj jete. Kjo botë e përkohshme është me halle dhe vështirësi dhe nuk është vendi i lumturisë së vazhdueshme. Zoti e krijoi jetën dhe vdekjen për t’i sprovuar njerëzit: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (El-Mulk, 1-2)
Sprovat mund të jenë udhëzim, pastrim dhe lartësim. Ato e dallojnë besimtarin e sinqertë nga jo i sinqerti. “Ka nga njerëzit që e adhurojnë Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, por nëse e godet ndonjë e pakëndshme ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.” (El-Haxh, 11).
Allahu xh.sh. na tregon se besimtarët do të sprovohen me të gjitha llojet e sprovave: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frutat, po t’i jepu përgëzim durimtarëve.” (El-Bekare, 5).
Sprovat nëse përballohen me sabër e falënderim janë në të mirë të besimtarit. Pejgamberi a.s. thotë: “Habitem me çështjen e besimtarit. Të gjitha çështjet e tij janë në të mirën e tij, dhe kjo është vetëm për besimtarin. Nëse e godet një e mirë, ai falënderon Allahun dhe kjo është në të mirën e tij. Nëse e godet ndonjë e keqe, bën durim dhe kjo është në të mirën e tij.” (Muslimi).
Sprova mund të jetë si dënim i mosbesimtarëve dhe për atë që veprojnë prej veprave të liga: “Atë dënim ua dhamë atyre, për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë përveç mohuesit.” (Sebe, 17). Një pjesë e njerëzve në vështirësi dhe fatkeqësi vetëdijesohen dhe largohen nga e keqja: “Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja.” (El-A’raf, 168).
Njeriu sprovohet me vështirësi që të bëhet e qartë se sa ai është në gjendje të durojë gjatë asaj vështirësie. Ai sprovohet edhe me bollëk e të mira, që të bëhet e qartë se sa është mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut për të mirat që ia dhuroi: “Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.” (El-Enbija’35). Një prej sprovave që e bën një person të lartësohet shpirtërisht është edhe sëmundja. Se si të sillemi gjatë sëmundjeve na tregon ajeti: “Dhe kur të sëmurem Ai më shëron!” (Esh- Shuara, 80).
Sprovat që Zoti ua dërgon robërve të Tij, shpeshherë janë tregues i dashurisë që Ai ka për ta. Pejgamberi a.s. thotë: “Atij që Allahu ia dëshiron të mirën e sprovon.” (Buhari). Kjo, sepse Zoti dëshiron të na pastrojë që në këtë botë nga gjynahet dhe të na mbajë larg zjarrit dhe dënimit të Ahiretit. Pejgamberi a.s. thotë: “Kur Allahu i dëshiron një robi të Vet një të mirë, Ai ia shpejton dënimin në këtë botë. Ndërkaq, kur i Allahu dëshiron një robi të Vet një të keqe, Ai ia lë mëkatet e pa falura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e Gjykimit dhe aty e gjen e keqja.” (Tirmidhi). Besimtari s’duhet t’i llogarisë sëmundjet si ndëshkim, por pastrim e lartësim nga Allahu dhe t’i kalojë ato me sabër e falënderim. Të diturit thonë se ai i cili nuk sprovohet në këtë botë ka shumë të ngjarë të jetë një njeri i prishur, sepse Allahu ia largon telashet dhe dënimin nga kjo botë, në mënyrë që ai të ringjallet me të gjitha mëkatet e tij në Ditën e Ringjalljes.
Vështirësitë dhe mundimet i pastrojnë besimtarët ashtu siç pastrohet ari me zjarr nga gjërat e pavlera. Pejgamberi a.s. thotë: “Çfarëdo që e godet myslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga ndonjë sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e therës, me secilën prej këtyre Allahu ia shlyen atij mëkatet.” (Buhari dhe Muslimi).
Sprovat janë gjithashtu lartësim dhe ngritje në xhenet. Ato janë të tilla vetëm për besimtarin. Pejgamberët ishin pa mëkate, ishin më të dashurit dhe më të zgjedhurit e Allahut, por ata ishin edhe njerëzit që më së shumti u sprovuan në këtë botë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njerëzit me të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Njeriu sprovohet sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe, e nëse është i dobët në besimin e tij, do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat.” (Imam Ahmedi).
Ne mund të mos e kuptojmë urtësinë e sprovave dhe të ngjarjeve kur ato na ndodhin! Por besimtari e di se gjithçka që ndodh, e mirë apo e keqe, ndodh sipas caktimit të Zotit. Nënshtrimi ndaj caktimit të Allahut e largon njeriun nga hidhërimi, nga mos përmbajtja dhe mendimi i keq për Zotin e tij. Urtësia e asaj që ne mund ta kemi konsideruar fatkeqësi dhe sprovë, na shfaqet më vonë. Prandaj nuk duhet të humbim shpresën gjatë sprovave, por të durojmë gjatë vështirësive: “E sa pejgamberë pati, që së bashku me ta luftuan turma të mëdha besimtarësh, dhe për atë që i goditi në rrugën e Allahut, ata nuk u dobësuan nga ana morale, e as ajo fizike dhe as nuk u përulën. Allahu i do durimtarët.” (Ali Imran, 146)
Reagimi ndaj sprovave me hidhërim haset tek ata njerëz që janë të dobët në fe. Ndërkaq, besimtarët i pranojnë ato me durim. Një pjesë e tyre i pranojnë me kënaqësi. Kjo është më lartë se ajo me durim. Kurse pozita më e lartë është shprehja e falënderimit ndaj Zotit për sprovat, duke konsideruar se përmes tyre na ofrohen mirësi të ndryshme.

Nga: Ajni Sinani /islamgjakova