Stabilokracia dhe tradhtia e bashkësisë ndërkombëtare

Besim Nebiu

Nëse ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk veprojmë tani, rrugëtimi i popullit tonë kah BE-ja do të ndodh nëpërmjet migrimit, ndërsa rajoni do të mbetet një faqe e zezë pa ndonjë të ardhme. Kjo stabilokraci e juaj, zonja dhe zotërinj të bashkësisë ndërkombëtare, për ne është një tradhti e madhe. Në fakt, më mirë ta quani destabilokraci.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Jemi dëshmitarë të një periudhe katastrofale 30-vjeçare në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Po kaq vjet pasi u hodhën themelet e demokracisë dhe ekonomisë së lirë, tani pa ekuivoke mund të konstatojmë se shpresat për një të ardhme më të mirë tërësisht janë zbehur te një pjesë dërrmuese e popullatës. Këtë e tregojnë të gjitha sondazhet e opinionit publik. Ata po ashtu thonë se pa fije dyshimi fajtori numër 1 është korrupsionit politik.

Sot Maqedonia e Veriut është vendi me një nga shkallet më të larta të korrupsionit në kontinent, por edhe është edhe një nga 3-4 vendet me të varfra në Europë. A është e lidhur varfëria me korrupsionin? Një shikim i tabelave të shkallës së korrupsionit dhe atyre të bruto prodhimit vendor tregon për një korrelacion të theksuar invers ndërmjet korrupsionit dhe prosperitetit ekonomik.

Aty ku sundon korrupsioni, thjesht është i pamundur zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, është i paarritshëm prosperiteti ekonomi. Korrupsioni, më shumë se çdo gjë tjetër, është armik dhe vrasës i prosperitetit ekonomik të shoqërisë dhe shkatërrues i fatit të familjeve tona. Duke vjedhur nga buxheti shtetëror ose komunal, politikani i korruptuar jo vetëm që e pengon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, por në fakt ai ndikon në dëbimin e popullit të vetë nga vendlindja. Është shumë e natyrshme që njerëzit të largohen jashtë në kërkim të mundësive më të mira për punë dhe për një jetë më të mirë ekonomike në qoftë se nuk i kanë këto në shtetin ku kanë lindur dhe janë rritur.

Në tentim për ta thjeshtuar përshkrimin e efektit të korrupsionit, e kisha definuar kështu:

Duke pasuruar veten, familjaret, farefisin, shefin partiak dhe vartësit e tij, politikani i korruptuar është fajtor direkt për mungesën e shërbimeve kualitative publike dhe ato të infrastrukturës, duke e bërë kështu jetën të vështirësuar për qytetarët, të cilët pastaj zgjedhin shpërnguljen dhe migrimin si zgjidhje për hallet e veta. Kjo ndodh sepse në vend që të ardhurat nga tatimet tona të përfundojnë në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarin, ato përfundojnë në shtëpi, vetura, vila ose jahte luksoze të klasës të të korruptuarve!

I këtillë siç është në RMV, pra korrupsion i metastazuar dhe i stërgjatur për dekada, ai e ka rrënuar nga themeli besimin tek institucionet dhe udhëheqësit e shtetit, por edhe e ka ulur nivelin dhe kualitetin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, jetës kulturore, sportit. Gjithashtu, e ka zëvendësuar aftësinë me afërsi, duke i mohuar shkathtësitë e njerëzve që të reflektohen në mundësi për zhvillim karriere dhe avancim në profesion, kjo pasi që korrupsioni dhe nepotizmi ua ka mbyllur dyert e avancimit atyre që janë jashtë përqafimit të klasës korruptive. Në vend të tyre, janë avancuar të afërmit dhe klientët e tyre.

Së fundmi, në korrupsion nuk mund të funksionin drejtësia. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor çojnë drejtpërsëdrejti në mungesë të ndjeshme të drejtësisë dhe sigurisë për qytetarët dhe ky është dhe një faktor tjetër përcaktues i migracionit.

Presioni social dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë janë faktorë që, në një mjedis të korruptuar, të shtohet dëshira për ta lënë vendin e origjinës në kërkim të jetës së re dhe të mirësisë materiale jashtë kufijve të tij.

Kapja e ngushtë e shtetit nga klasa e të korruptuarve, nga strukturat politike dhe oligarkike, ka çuar në një çrregullim të thellë social, moral dhe institucional. E ka lënë Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos pjesën shqiptare të saj, të zbrazur, të demoralizuar dhe të deprimuar në kuptimin e plotë të fjalës!

Të gjitha janë këto janë arsye pse fillet e demokracisë ky shtet i priti me 2.1 milionë banorë, ndërsa sot realisht ka gjysmë milioni më pak, me tendencë që në vitet në vijim ky trend dramatik i zbrazjes të vazhdojë derisa të arrijmë në popullatë 1.2 milion banorë

Para një çerek shekulli shpresuam se tranzicioni do të sillte liri, prosperitet dhe drejtësi sociale. Në vend të kësaj, sot kemi korrupsion sistematik, shpërdorim pushteti dhe një klimë të përgjithshme të mosbesimit dhe indiferencës ndaj shtetit. Institucionet tona janë infektuar me klientelizëm dhe nepotizëm dhe janë shndërruar në vegla për mbrojtjen e interesave të ngushta të politikaneve dhe oligarkëve të tranzicionit.

A e bëmë veç vetë këtë apo kishim edhe ndihmës nga “jashtë”? A janë vetëm politikanët dhe oligarkët tanë fajtorë? Si erdhëm në këtë katrahurë? Në këndvështrimin e sotëm, është skandaloz roli i bashkësisë ndërkombëtare. Ajo që duhej të ishte një mbështetje për ndërtimin e një demokracie të fortë të stilit perëndimore, është kthyer në një lojë interesi, ku “stabilokracia” është monedha e këmbimit të saj. Në emër të stabilitetit rajonal, bashkësia ndërkombëtare rishtazi ka zgjedhur t’i mbyllë sytë ndaj abuzimeve dhe abuzuesve, duke u dhënë krah oligarkëve, hajnave dhe matrapazëve, duke e bërë korrupsionin modus operandi, krejt kjo në emër të një “stabiliteti” iluzor. Përkrahja e Cërvenkovskave, Gruevskave, Thaçëve, Berishëve, Dodikëve dje dhe e Vuçiqit sot, si gjoja faktorë stabiliteti, nuk është asgjë tjetër, por mbjellje, kultivim dhe etablim i korrupsionit si mënyrë e jetës në këtë rajon. Ku është përgjegjësia morale e atyre që pretendojnë të jenë mbrojtës të demokracisë dhe të drejtave të njeriut? Është e papranueshme që ne, qytetarët e rajonit, të jemi të detyruar të jetojmë nën hijen e një shteti të dështuar dhe të një elite të paaftë dhe të korruptuar, që na i dëbon fëmijët në Perëndim!

Se erëra të reja nuk po fryjnë nga bashkësia ndërkombëtare, këtë e dëshmon edhe përkrahja tërësisht jomorale, që sot merr krye-autokrati i Ballkanit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përballë politikanit të vetëm me kredenciale të pastra, sa i përket sundimit pa korrupsion – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Të mbytur në një det të këtillë të pafund të zhgënjimit, ende mbajmë shpresën se do të vijë një ditë kur ata si Kurti do jenë rregull, ndërsa ata si Vuçiqi do bëhen përjashtim nga rregulli.

Është koha që bashkësia ndërkombëtare të heqë dorë nga politika e dyfishtë dhe të fillojë ta mbështesë vërtetë ndërtimin e një demokracie të vërtetë dhe të drejtë në Ballkanin Perëndimor. Këtë me siguri nuk do ta bëjë duke i dhënë krah pasardhësit të Millosheviqit, adhuruesit të Putinit dhe mbrojtësit të vlerave autoritare, si dhe network-ut të piunëve të tij të instaluar gjetiu nëpër rajon.

Nëse ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk veprojmë tani, rrugëtimi i popullit tonë kah BE-ja do të ndodhë nëpërmjet migrimit, ndërsa rajoni do të mbetet një faqe e zezë pa ndonjë të ardhme. Kjo stabilokraci e juaj, zonja dhe zotërinj të bashkësisë ndërkombëtare, për ne është një tradhti e madhe. Në fakt, më mirë ta quani destabilokraci.