Stamboll, konferencë për të ardhmen e Islamit në Evropë

Rektori i Universitetit Ibn Haldun (IHU), Recep Şentürk, në konferencën e titulluar “E ardhmja e Islamit në Evropë” ka thënë se “pse muslimanët nuk shpjegojnë me prova bindëse se ringjallja e Islamit do të jetë një zhvillim i mbarë dhe se përhapja e kësaj feje do ta bëjë botën një vend më të drejtë, më të lumtur dhe me më shumë paqe, jo vetëm për muslimanët por edhe për jo-muslimanët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën e mbajtur në kampusin Süleymaniye të universitetit IHU, Şentürk paralajmëroi se universiteti po krijon një qendër të re kërkimore të dedikuar për studimet mbi Islamin dhe të ardhmen e saj.

Në këtë qendër, tha ai, hulumtuesit do të kryejnë studime për të gjetur përgjigje për pyetjet si “Cila është e ardhmja e Islamit në Evropë?” dhe “A munden muslimanët të jenë në gjendje të mbrojnë kulturat dhe gjuhët e tyre?”. Ai po ashtu theksoi se Islami në Evropë po përhapet me shpejtësi.

“Për fat të keq, zëri i armiqve të Islamit dhe ata që duan të përhapin islamofobinë është shumë i lartë. Ata theksojnë se kjo situatë është një kërcënim për të gjithë njerëzimin, Evropën dhe Amerikën. Ata përdorin të gjitha llojet e mediave për këtë temë. Ata janë shumë aktiv në këtë drejtim. Fatkeqësisht muslimanët nuk e flasin këtë në emër të tyre, pra pse muslimanët nuk shpjegojnë me prova bindëse se ringjallja e Islamit do të jetë një zhvillim i mbarë dhe se përhapja e islamit në Evropë dhe në botë do ta bëjë botën një vend më të drejtë, më të lumtur dhe me më shumë paqe, jo vetëm për muslimanët por edhe për jo-muslimanët. Dëshmia, prova jonë më e bukur dhe më bindëse për përhapjen e Islamit në Evropë është sistemi i bazuar në drejtësinë, paqen dhe barazinë që qytetërimi Islam themeloi gjatë shekujve dhe kur mbizotëronte botën, të cilën unë e quaj ‘qytetërim i hapur’ “, deklaroi Şentürk.

Sipas tij, sistemi i krijuar nga qytetërimi Islam është harruar edhe nga vet muslimanët.

“Disa muslimanë aktualisht paraqesin pamje krejtësisht të kundërta me Islamin dhe teksa e bëjnë këtë, ata mendojnë se i shërbejnë islamit. Të gjitha këto janë sjellje dhe praktika që bien në kundërshtim me librin tonë të shenjtë dhe Sunetin e Profetit, si dhe me praktikat historike që kemi pasur për shekuj”, tha Şentürk.

“Krishterimi i Evropës nuk është një fenomen i lashtë”

Ndërkaq, Bülent Uçar nga universiteti Osnabrück, tha se historia e krishterimit në Evropë nuk është një fenomen i lashtë.

“Kur mendojmë për Evropën, gjithmonë supozojmë se është e krishterë, jomuslimane. E njëjta gjë vlen për Afrikën dhe Azinë, mendojmë se këto vende janë kryesisht muslimane. Sidoqoftë, kjo është e gabuar. Evropa takoi krishterimin më vonë në histori dhe për botën islame, vendet si Egjipti, Siria dhe Turqia, kishin një popullsi të madhe jomuslimane deri pak kohë më parë”, tha ai.

Po ashtu edhe profesori Merdan Güneş tha se muslimanët duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e sotme dhe për të lënë mënjanjë pak dallime dhe mosmarrëveshje.