Stano pas takimit në Bruksel: Masat ndaj Kosovës mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është deklaruar të premten pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që u zhvillua një ditë më parë në Bruksel.

Në një konferencë për media, Stano ka thënë se takimi nuk ka dhënë rezultat për shkak se palët nuk janë të gatshme të kapërcejnë dallimet e tyre.

Ai ka shtuar se BE-ja nuk është palë në dialog dhe duke qenë ndërmjetësues, nuk mund të sjellë sukses nëse palët nuk arrijnë të gjejnë kompromis.

“Më lejoni t’ju kujtoj diçka që BE-ja nuk është palë në dialog. Palë në dialog janë Kosova dhe Serbia. BE-ja është lehtësues, bazuar në dëshirat e shprehura nga të dyja palët dhe miratuar nga e gjithë BE-ja. Ne po lehtësojmë që palët të kapërcejnë dallimet e tyre. Por, ne nuk do të jemi të suksesshëm kurrë nëse palët refuzojnë që të shkojnë në rrugën e kompromisit”, ka thënë Stano.

I pyetur për masat ndaj Kosovës dhe nëse do të ketë të tilla edhe ndaj Serbisë, ai ka thënë ato do të vendosen ndaj secilës palë që nuk kontribuon në shtensionimin e situatës.

“Ka ende potencial për eskalim. Masat mund të kenë sukses për shtensionim. Masat ndaj Kosovës janë të përkohshme, të vendosura nga vendet anëtare që sipas tyre nuk duhet përdorur vetëm karotën por edhe shkopin”, ka thënë tutje Stano në konferencë.

“Masat do të jenë aty për aq sa vlerësohet. Ato mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen”.

Ai ndër të tjera ka shtuar se për takimin e së enjtes, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak do t’i njoftojë të gjitha vendet anëtare të BE-së.