Statusi i Palestinës në fenë islame

Dr. Mohsen Mohammad Saleh

Fakti se kjo tokë është një tokë e shenjtë për muslimanët është bërë shumë i qartë në Kuran dhe jepet nëpërmjet ajeteve të mëposhtme:

“O populli im! Hyni në tokën e shenjtë që Allahu na ka caktuar e mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur.”[1]

“Qoftë lavdëruar Ai, i Cili në një çast të një nate, e barti robin e Tij (Muhamedi) nga tempulli i shenjtë (Meka) në tempullin e largët (Jeruzalemin), rrethinën e së cilës kemi bekuar për t’i dëftuar atij disa nga mrekullitë Tona. Me të vërtetë që Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.”[2]

“Dhe i kemi dhënë Sulejmanit erë të fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, kah toka, të cilën Ne e kemi bekuar. Ne jemi në dijeni për çdo gjë.”[3]

Në territorin palestinez gjendet xhamia “Aksa”, e cila është kibla e parë për muslimanët si dhe vendi i shenjtë për nga rëndësia. Vizita e këtij vendi të shenjtë është e pëlqyeshme dhe falja në këtë vend ka vlerë të barabartë me pesëqind falje në xhamitë e tjera.

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Njeriu nuk merr ndonjë udhëtim përveçse në tri xhami: në xhaminë e shenjtë (në Mekë), këtu në xhaminë time (në Medine) dhe në xhaminë Aksa (në Kuds).”[4]

Në një hadith tjetër, ai ka thënë: “Namazi në xhaminë e shenjtë (në Mekë) është i vlefshëm sa njëqind mijë namaze në ndonjë vend tjetër. Namazi në xhaminë time (në Medine) është i barazvlefshëm me njëmijë namaze, falur diku tjetër. Një namaz në Bejtul Makdes (në Kuds) është i barazvlefshëm me pesëqind namaze diku tjetër.”[5]

Palestina është atdheu dhe djepi i profetëve. Kurani përmend shumë emra profetësh si: Ibrahimi, Luti, Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi, Daudi, Sulejmani, Zekerijai, Jahja dhe Isai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të të gjithë ata!

Ata kanë jetuar të gjithë në Palestinë dhe po ashtu dhe Profeti ynë i fundit Muhamedi (a.s) e ka vizituar këtë vend. Profetë të ndryshëm, të dërguar tek Benu Israilët që nuk janë përmendur me emra në Kuran, po ashtu kanë jetuar në këtë tokë të bekuar. Njëri nga këta profetë, që përmendet në një hadith sahih është Joshua.

Po ashtu Palestina është vendi, të cilin Allahu i Madhëruar e nderoi duke dërguar në të për vizitë profetin tonë, Muhamedin (a.s) gjatë udhëtimit të natës së Israsë. Udhëtimi i Profetit vazhdoi nga xhamia Aksa deri lart në qiell.

Të gjithë profetët janë falur në xhaminë Aksa dhe ata i ka prirë në falje Muhamedi (a.s). Ky veprim është shenjë e vazhdimësisë së monoteizmit, i cili ka qenë mesazhi i të gjithë profetëve. Po ashtu falja e të gjithë profetëve së bashku, të prirë nga profeti i fundit tregon transformimin e trashëgimisë së tyre si dhe thirrjen për monoteizëm drejtuar të gjithë muslimanëve anembanë botës.

Në një hadith të vërtetë thuhet se: “Xhamia Aksa është tokë e ringjalljes dhe vendi i llogarisë.”[6]

Në një hadith tjetër thuhet se Bilad Esh Shami, pjesë e brendshme e të cilës është Palestina: është një mbrojtës i Islamit, qendër e besimit gjatë kohërave të vështira krizash dhe kaosi.”[7]

Ai që qëndron në Palestinë, i motivuar për shkaqe që kanë të bëjnë me fenë islame është i ngjashëm me një muxhahid apo me një luftëtar që ka dalë me gjithçka disponon në rrugë të Zotit.

Kjo gjë konfirmohet nga një hadith, në të cilin thuhet: “Banorët e Shamit, bashkëshortet e tyre, bijtë dhe skllevërit e tyre të gjithë janë luftëtarë në rrugë të Zotit. Kush prej tyre arrin të marrë ndonjë nga qytetet apo fortesat e këtij vendi, është një muxhahid.”[8]

Në një hadith tjetër thuhet se: “Grupi i vërtetë që i takon triumfi është ai që jeton në Sham, veçanërisht në Xhaminë Aksa dhe rrethinat e saj.”[9]

Pra nuk është i çuditshëm apo i pakuptueshëm fakti që muslimanët kanë një lidhje të fortë sentimentale me këtë vend të shenjtë dhe të bekuar. Po ashtu nuk është gjë e habitshme se ata e mbrojnë këtë vend me gjakun dhe shpiritn e tyre.

Autor: Dr. Muhsin Muhamed Salih

Përktheu: Sabina Fejzullaj (Tufa) dhe Gentjan Fejzullaj

[1] – Sure Maide: 21.

[2] – Sure Isra: 1.

[3] – Sure Enbija: 81.

[4] – Buhari, Muslimi, Ibn Maxheh dhe Ebu Daudi.

[5] – Tabaraniu.

[6] – Ahmedi dhe Ibn Maxheh.

[7] – Tabaraniu.

[8] – Tabaraniu.

[9] – Ahmedi.