Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka publikuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, e cila shoqërohet me një parathënie ku 79-vjeçari e përshkruan kohën e tij në detyrë si “një rivendosje të fuqishme të Amerikës në skenën botërore”.
Dokumenti, i shkruar me një ton që pasqyron një vlerësim të vendosur të arritjeve, përfshin një referencë të drejtpërdrejtë për Kosovën (kapitulli IV).
Midis arritjeve që administrata pretendon se ka realizuar brenda tetë muajve të parë në detyrë është evitimi i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
Edhe pse dokumenti nuk jep detaje mbi marrëveshjen e supozuar Kosovë-Serbi, përfshirja e saj në strategji tregon se administrata Trump e sheh këtë si një sukses diplomatik, që synon të forcojë pozicionin politik ndërkombëtar.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën Trump e kishte përmendur si storie të suksesit personal arritjen e një marrëveshjeje të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
Në dokument po ashtu përmendet se lideri amerikan negocioi paqen edhe ndërmjet Kamboxhias dhe Tajlandës, atë në Kongo-Ruanda, Pakistan-Indi, Egjipt-Etiopi, Armeni-Azerbajxhan dhe luftën në Gaza.
Ndryshe, dokumenti prej 33 faqesh, përshkruan gabimet që, sipas Trump, administrata e mëparshme demokrate ka bërë në politikën e jashtme, me analiza rajonale që mbulojnë Evropën, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Ndër to theksohen “aktivitetet e BE-së që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat migruese që po transformojnë kontinentin, censurimi i lirisë së fjalës dhe shtypja e opozitës politike… si dhe humbja e identiteteve kombëtare”.
Në tekst shtohet se “nëse trendët aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjohshëm për 20 vjet ose edhe më pak”.
Për këtë arsye, politika amerikane duhet të përfshijë “nxitjen e rezistencës kundër trajektores aktuale evropiane brenda kombeve të Evropës”.
Dokumenti thekson qartë rreshtimin e administratës së Trumpit me partitë evropiane nacionaliste të ekstremit të djathtë, “ndikimi në rritje i të cilave… është arsye për optimizëm të madh”. Si shembull i lidhjeve të ngushta përmendet vizita e një zyrtari të lartë të partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Shtëpinë e Bardhë në muajin shtator, për takime me zyrtarë të lartë amerikanë.







