Studentë në kampusin Richtpunt në Gent të Belgjikës kanë nisur procedura ligjore kundër ndalimit të shamisë që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm shkollor në shkollat provinciale në rajonin e Flandrës Lindore, transmeton Anadolu.
Ndalimi, i miratuar nga qeveria provinciale e Flandrës Lindore, do t’u ndalojë nxënësve në shkollat e mesme provinciale mbajtjen e shamisë në ambientet e shkollës.
Sipas transmetuesit publik VRT, studentët e kampusit Richtpunt argumentojnë se masa prek në mënyrë disproporcionale vajzat muslimane dhe cenon të drejtat e tyre themelore.
Meqenëse të miturit nuk kanë kapacitet ligjor për të nisur vetë procedura, ata përfaqësohen në gjykatë nga iniciativa qytetare “Shkolla Ime, Zgjedhja Ime”, ndërsa disa organizata të shoqërisë civile i janë bashkuar çështjes në mbështetje.
“Ndalimi i shamisë nuk është një masë neutrale, por një vendim që, në praktikë, çon në përjashtimin strukturor të vajzave muslimane nga arsimi. Ato detyrohen të zgjedhin mes arsimimit dhe identitetit”, tha Nadia El Omari nga iniciativa.
El Omari shtoi se debati mbi ndalime të tilla është përqendruar kryesisht te dukshmëria e vajzave muslimane në arsim dhe jo te simbolet fetare në përgjithësi.
“Shkollat që zbatojnë ndalime të tilla nuk pasqyrojnë realisht shoqërinë e sotme të larmishme”, u shpreh ajo duke paralajmëruar se kufizimi i diversitetit të dukshëm në shkolla rrezikon të dëmtojë dialogun, barazinë dhe pluralizmin mes të rinjve.
Sipas iniciativës, përpjekjet e muajve të fundit për dialog me përfaqësues politikë dhe vendimmarrës nuk prodhuan kompromis, çka çoi në vendimin për ndjekje ligjore.
Mohamed Amin Chaib, kryetar i Muslim Rights Watch Belgium, e cilësoi çështjen si simbolike, duke theksuar se ndalime të ngjashme në institucione të tjera arsimore flamande gjithashtu mund të kundërshtohen mbi baza të të drejtave të njeriut.




