Është rritur në 11 numri i personave që kanë humbur jetën në protestat që vazhdojnë në Sudan që nga 25 tetori e deri më tani kundër ndërhyrjes ushtarake ndaj qeverisë civile, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komiteti Qendror i Mjekëve në Sudan njoftoi se mëngjesin e sotëm një protestues që u plagos më 28 tetor si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtarët në rajonin Bahri të kryeqytetit Khartoum iu nënshtrua plagëve.
“Përfshirë edhe 3 personat që humbën jetën në protestat e zhvilluara dje, është rritur në 11 numri i personave që kanë humbur jetën në masakrën e puçistëve që nga 25 tetori ku ushtria vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpërbëri qeverinë civile”, thuhet në deklaratë.
Në protestat kundër administratës ushtarake që u zhvilluan në mbarë vendin me emërtimin “30 tetori – protesta e milionave” rikujtohet se 3 persona humbën jetën në ndërhyrjen e forcave të sigurisë në Omdurman. Gjithashtu bëhet e ditur se në protestat në mbarë vendin janë plagosur 110 persona.
Në orët e para të mëngjesit më 25 tetor në Sudan u arrestuan shumë politikanë si dhe kryeministri Abdullah Hamdok i cili u lirua të nesërmen.
Gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan, njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, shpërbërjen e Këshillit të Sovranitetit dhe të kabinetit si dhe formimin e një qeverie teknokratike e cila do të përfaqësojë të gjitha shtresat në Sudan. /aa






