“Suedia mbështet plotësisht Turqinë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare”

Tobias Billstrom

Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Tobias Billstrom, ka deklaruar se vendi i tij dënon të gjitha organizatat terroriste, përfshirë PKK-në, duke shtuar se vendi i tij “mbështet plotësisht” Turqinë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë së saj, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e jashtëm britanik, James Cleverly, ministri suedez theksoi se ligji i Suedisë kundër terrorizmit do të lehtësojë bashkëpunimin e tyre me Turqinë, si dhe me vendet e tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Suedia mbështet plotësisht Turqinë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare dhe dënon të gjitha organizatat terroriste, përfshirë PKK-në, të cilat kryejnë sulme kundër saj”, tha Billstrom.

Më tej, Billstrom theksoi se Suedia është e gatshme të jetë një “aleat aktiv dhe besnik”, si dhe të kontribuojë në sigurinë e NATO-s që nga dita e parë.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022. Megjithëse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i bindet një memorandumi trepalësh të nënshkruar qershorin e vitit të kaluar në Madrid për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë.

Disa aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në, shpresojnë se Turqia do të miratojë procesin e pranimit të Suedisë para samitit në Vilnius të Lituanisë, që do të mbahet më 11-12 korrik.

Në muajin nëntor, Suedia miratoi një ligj kundër terrorizmit duke shpresuar se Ankaraja do të miratojë aplikimin e saj për t’u bashkuar me NATO-n. ligji i ri, i cili hyn në fuqi më 1 qershor, u mundëson autoriteteve të ndjekin penalisht individët që mbështesin grupet terroriste.