Sulm kibernetik i huaj ndaj e-Albania, reagojnë AKSHI dhe Kryeministria

A close-up on an abstract design of a display, which is warning about a cyber attack. Multiple rows of hexadecimal code are interrupted by red glowing warnings and single character exclamation marks. The image can represent a variety of threats in the digital world: data theft, data leak, security breach, intrusion, etc...

Për këtë po punon së bashku me Microsoft dhe Jones Group International për të mbrojtur sistemet e informacionit të Shqipërisë.

E-Albania dhe faqe të tjera shtetërore kanë ndërprerë aksesin përkohësisht për shkak të një sulmi kibernetik të nisur ditën e sotme.

Lajmin e dha Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e cila administron këto faqe. Ajo tha se ndërprerja e aksesit është bërë me qëllim që të shmangen dëme apo humbje të dhënash të qytetarëve Shqiptar për shkak të këtij sulmi.

Në njoftimin e publikuar AKSHI kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjen e përkohshme të shërbimeve publike online të cilat shtoi se do të rikthehen vetëm pasi sulmi të jetë neutralizuar plotësisht.

Për këtë po punon së bashku me Microsoft dhe Jones Group International për të mbrojtur sistemet e informacionit të Shqipërisë.

Edhe zyra e Kryeministrit reagoi duke thënë se sulmi vjen nga jashtë vendit dhe është i sofistikuar dhe sinkronizuar. Ende nuk ka informacion prej nga vjen ky sulm dhe cilat janë qëllimet e tij.

Njoftimi i AKSHI-së

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.

Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kibernetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit. /PCWorld Albanian