Sulm në Mali, vriten të paktën 24 ushtarë

Të paktën 24 ushtarë të Malit janë vrarë në një sulm terrorist në rajonin Gao që ndodhet në pjesën veriore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në sulm janë plagosur 29 ushtarë të tjerë. Sulmi ndodhi teksa trupat nga Mali dhe Nigeri po kryenin një operacion të përbashkët kufitar kundër militantëve, thuhet në kumtesën e Forcave të Armatosura të Malit (FAMA).

Të paktën 17 terroristë janë vrarë në një kundërsulm ndërsa qindra persona janë arrestuar me dyshimin se kanë lidhje me sulmin, thuhet gjithashtu në kumtesë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Mali ka pësuar disa sulme terroriste në gati një dekadë pasi grupet militante pushtuan pjesën veriore të vendit.