Policia australiane akuzoi autorin e të shtënave në plazhin Bondi me 59 vepra penale, përfshirë terrorizëm dhe 15 akuza për vrasje, thanë sot autoritetet në një deklaratë, transmeton Anadolu.
Hetuesit nga ekipi i përbashkët kundër terrorizmit i Uellsit të Ri Jugor (NSW) shkuan në një spital ku akuzuan të dyshuarin 24-vjeçar me 59 vepra penale, tha policia në deklaratë.
Të dielën,15 persona u vranë pasi dy të dyshuar për të shtëna, babë e bir hapën zjarr në plazhin në Sidnei, kryeqytetin e Uellsit të Ri Jugor. Një nga dy autorët e të shtënave u qëllua për vdekje ndërsa tjetri pësoi lëndime kritike dhe mbetet i shtruar në spital.
“Policia do të pretendojë në gjykatë se burri është përfshirë në sjellje që shkaktoi vdekje, lëndime të rënda dhe rrezikoi jetën për të çuar përpara një kauzë fetare dhe për të shkaktuar frikë në komunitet”, tha deklarata.
“Indikacionet e hershme tregojnë për sulm terrorist të frymëzuar nga ISIS (DEASH), një organizatë terroriste e listuar në Australi”, tha policia. Sipas zyrtarëve, njëri nga autorët e të shtënave, babai është shtetas indian i cili në vitin 1998 u zhvendos në Australi ku lindi djali i tij dhe është shtetas australian.
Të shtënat e së dielës bënë bujë globale pasi dolën video që tregonin se një i ri, Ahmed Al Ahmed, ishte parë duke sulmuar njërin nga dy autorët e të shtënave dhe duke e çarmatosur atë, duke shpëtuar më shumë jetë nga humbja.
Ahmedi, me origjinë nga Siria, u qëllua disa herë në shpatull dhe u shtrua për trajtim në spitalin St. George në jug të Sidneit. Babai i dy vajzave, Ahmedi 43-vjeç është cilësuar si hero për aktin e tij të guximshëm.
– Uellsi i Ri Jugor do të miratojë ligje për armët
Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns tha sot se parlamenti rajonal do të mblidhet javën e ardhshme për të miratuar reforma të gjera të ligjeve për armët dhe protestat.
“Jam i shqetësuar për një situatë të ndezshme dhe harmoninë e komunitetit dhe kjo është arsyeja pse do ta paraqisnim këtë legjislacion. Ka filluar. Procesi i hartimit ka filluar”, tha Minns në një konferencë për mediat.
“Jemi në mes të diskutimeve me grupet e palëve të interesuara, veçanërisht grupet e kufizimit të armëve. Nuk po e them saktë këtë, organizatat që janë të interesuara për sigurinë e armëve. Po flasim me ta për atë që shpresojnë të shohin në legjislacion”, shtoi ai.
Qeveria federale australiane po punon gjithashtu për të zbatuar ligje të forcuara për armët.






