Një supertanker iranian i naftës bruto ka hyrë në ujërat e Iranit pasi ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht kërcënimeve për bllokadë nga SHBA-ja, raportuan mediat iraniane, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë iraniane “Fars News Agency”, supertankeri, për të cilin thuhet se ka kapacitet për të transportuar rreth 2 milionë fuçi naftë bruto, ka lundruar nëpër ujëra ndërkombëtare dhe nëpër Ngushticën e Hormuzit me sistemin e gjurmimit të ndezur dhe “pa asnjë fshehje”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga autoritetet amerikane lidhur me raportin.
Forcat amerikane kanë “ndalur plotësisht” tregtinë detare drejt dhe nga Irani, tha të martën komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).
Deklaratat e tij erdhën pasi CENTCOM nisi të hënën një bllokadë të të gjithë trafikut detar që hyn dhe del nga portet iraniane.
Komanda, e cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, tha se bllokada po “zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve” që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
Bllokada pasoi bisedimet e rralla të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Iranit në Pakistan gjatë fundjavës, të synuara për t’i dhënë fund luftës që filloi më 28 shkurt, por negociatat nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje.


