Tajvani blen armatim amerikan, gati marrëveshja për sistemin kundërajror Patriot

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës në muajt e fundit janë shtuar, pavarësisht se kanë mbetur jashtë vëmendjes prej luftës në Ukrainë. Pala tajvaneze ka blerë këtë javë armatim të sofistikuar kundërajror amerikan. Kina ndërkohë është e bindur se e ardhmja e vendit ishullor është bashkë me Kinën, jo veçantë saj.

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar këtë të martë shitjen një pakete armatimi kundërajror për Tajvanin. Kjo paketë kap shifrën e 95 milionë dollarëve sipas Departamentit të Mbrojtjes amerikane.

Sipas Pentagonit, paketa do të përfshijë trajnimin, planifikimin, vënien në terren, vendosjen, funksionimin, mirëmbajtjen dhe pajisjet përkatëse për Sistemin e Mbrojtjes Ajrore Patriot.

“Kjo shitje u shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së, dhe mbështet përpjekjet e vazhdueshme të Tajvanit për të modernizuar forcat e armatosura dhe për të ruajtur aftësinë mbrojtëse,” thuhej në raportin e Pentagonit drejtuar Kongresit amerikan.

Ishulli i Tajvanit pretendohet nga Kina, ndërsa kohët e fundit ka shprehur shqetësim për rritjen e presionit ushtarak nga Pekini.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq nuk kanë lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, por janë të angazhuar në mbrojtje të sovranitetit të vendit ishullor.

Sa i përket marrjes së këtij armatimi mbrojtës ajror kanë reaguar autoritetet tajvaneze duke thënë se “Tajvani do të vazhdojë të demonstrojë vendosmërinë e tij për të mbrojtur veten dhe do të vazhdojë të thellojë partneritetin bashkëpunues me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që ndajnë të njëjtin angazhim.”

Kjo shitje është paketa e tretë e armëve e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin që kur presidenti Joe Biden mori detyrën në janar të vitit 2021.

Më herët ka pasur edhe tensione mes Kinës dhe Tajvanit, ku forcat ajrore tajvaneze thonë se Kina ka shkelur hapësirën e saj ajrore. Kina ndërkaq ndjek politikën se Tajvani është pjesë e saj.

Ndërsa tensionet janë të larta, dhe nuk dihet nëse kërcënimet për pushtim janë bllof apo realitet, rritja e aktivitetit ushtarak kinez në Tajvan ka shkaktuar shqetësim global.
Në thelb të konfliktit është fakti se qeveria kineze e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që do të jetë sërish pjesë e vendit. Shumë tajvanezë nuk janë dakord.

Ata mendojnë se në fakt kanë një komb të veçantë – pavarësisht se kanë probleme për t’u njohur zyrtarisht në arenën ndërkombëtare. /oranews