Takimi i BE në ngërç/ Debate të nxehta mes liderëve të BE për Shqipërinë

Duket se aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të presin.

Krerët e bllokut europian patën debate të tensionuara deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes mbi të dy vendet e Ballkanit, por në fund, nuk qenë në gjendje të ishin në një mendje qoftë edhe mbi një deklaratë që ofronte inkurajim dhe shtyrje të vendimit zyrtar, shkruan topchannel.

Presidenti francez Emmanuel Macron e kundërshtoi me forcë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, e në fund,  mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor të kësaj lëvizjeje.

Kryeministri Hollandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm i cili do të lejonte që negociatat të çeleshin me Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria të vendosej në listë pritjeje.

E kësaj linje, sipas Ansës, ishte dhe karta e fundit në tryezë për ta bërë presidentin francez të ndryshojë mendim, të cilën e hodhi Finlanda, e cila mban presidencën e BE-së. Ajo nga sa pretendon agjensia italiane e lajmeve, doli me idenë e  ndarjes së fateve të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Plani ishte  të “ sakrifikohet Tirana dhe të shpëtohet Shkupi” në përpjekjen përfundimtare për të mos destabilizuar rajonin.

Nëse krerët e BE nuk japin dritën e gjelbër në negociatat “qeveria jonë do të vdesë”, pat paralajmëruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Por mundësia e ndarjes së të dy vendeve në këtë proces nuk e gjeti mbështetjen e  Francës, e madje edhe disa shtete si Italia, janë shprehur se dëshironin një rrugë të qartë për të dy vendet.