Takimi në Bruksel për dinarin, BQK-ja e konfirmon pjesëmarrjen

Nesër është paraparë të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë, i thirrur nga ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak në Bruksel.

Festa i është bërë palëve nga Lajçak për të diskutuar mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Kosovën këtë herë e përfaqëson Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila ka konfirmuar për teve1.info se do të marrin pjesë në takim kur diçka e tillë është e nevojshme.

Nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar kanë thënë se BQK-JA edhe kohë më parë është shprehur e gatshme që të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë dhe se njëjtë i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”.

Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e BQK-së për paratë e gatshme – ku thuhet se mjet i vetëm i pagesës në Kosovë është valuta euro.