Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Taulant Balla, shefi i ri i SHISH?

Taulant Balla, shefi i ri i SHISH?

Duket më i angazhuar në hetimin e bisedave në rrjetet sociale, sesa në gjetjen e një rruge për daljen nga kriza

Taulant Balla ka publikuar këtë të hënë një mesazh ku një prej pjesëmarrësve në një grup shkruan: “Ore shpin e Taulantit sot ta djegim komplet”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së e ka lidhur mesazhin me Sali Berishën, duke komentuar: “Kur ju them unë është Saliu! Doli Saliu me sulmet bajate. Ja dhe porosia tek grupi zjarrit, digjni shtëpinë e kundërshtarëve të Saliut”.

Publikimi vjen pas disa ditësh përplasjesh politike, gjatë të cilave Balla ka reaguar ndaj deklaratave të Berishës dhe ka shpërndarë pamje e mesazhe që sipas tij, provojnë përfshirjen e opozitës në nxitjen e dhunës.

Më 16 tetor, ai publikoi biseda ku pretendohej se protestuesve u bëhej thirrje të merrnin thika për të sulmuar policinë. Kërcënimet për djegien e një banese janë serioze dhe duhen hetuar, pavarësisht se kush është objektivi.

Por këtu nis paradoksi politik. Në një moment kur protestat e të rinjve janë përshkallëzuar dhe pakënaqësia ndaj qeverisë po shprehet në rrugë, çfarë pritet nga kreu i grupit parlamentar të shumicës?

Të ndihmojë në uljen e tensioneve, të kërkojë përgjegjësi për dhunën nga çdo palë dhe të hapë rrugë për dialog, apo të merret me kundërakuzat në rrjetet sociale?

Si një nga figurat më të rëndësishme të pushtetit, Balla ka mundësi të ndikojë në mënyrën se si qeveria i përgjigjet krizës. Por, në vend që të nxisë përpjekjet për komunikim, ai duket i përqendruar te zbulimi se kush shkruan në grupe, kush nxit dhunën dhe kush qëndron pas protestuesve.

Me këtë ritëm, mbetet vetëm të publikojë edhe organigramën e dyshuar të organizatorëve, që publiku ta ketë të plotë dosjen e hetimit paralel në Facebook.

A po përgatitet Taulant Balla të bëhet shefi i ri i SHISH-it, apo po harron përgjegjësinë e tij politike? Sigurisht, askush nuk mund t’i kërkojë të heshtë përballë kërcënimeve ndaj familjes (nëse janë të vërteta). Por asnjë mesazh nuk mund të shërbejë si përgjigje për pakënaqësinë e mijëra të rinjve.

Nëse Balla beson se pas dhunës qëndron Berisha, le t’ia lërë hetimin drejtësisë. Ndërkohë, si drejtues i shumicës parlamentare, mund të përpiqet të bindë pushtetin të dëgjojë protestuesit dhe jo të sillet duket sikur po konkurron për postin e shefit të shërbimit sekret. \tesheshi.com\