Të Dështuar apo të Suksesshëm!?

Vehbi Zeqiri

Detyrat dhe përgjegjësitë e punës, në dekadën e fundit nuk janë duke u përfillur sa duhet prej punonjësve në çdo entitet, kompani apo institucion, por e njëjta mos përfillje mbretëron edhe në raportet tona me familje!

Në dekadën e fundit është rritur përqindja e punonjësve të cilët nuk i marrin seriozisht detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, duke i injoruar, mos kryer, apo zvarritur ato. Ky fenomen i ka kapluar të gjithë. Detyrat dhe përgjegjësitë gjithashtu janë duke u injoruar edhe prej prindërve, mësimdhënësve, udhëheqësve, nxënësve, punëmarrësve, punonjësve, politikanëve, etj.

Pa kurrfarë dileme dhe mëdyshje, kjo qasje ndaj detyrave dhe përgjegjësive rezulton në ngecje, regres, përhapje të krimit, dëshpërim, nënshtrim, mbyllje, vetmi, etj. Por, çfarë ndodh në aspektin individual kur një punonjës nuk i përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë që i ka pranuar:

  1. Mundohet të gjej justifikime të pa vërteta për mos përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që ka! Kjo rrjedhimisht individin e bënë gënjeshtar të sofistikuar i cili gënjeshtrën do ta përdor edhe në raporte me kolegët, shoqërinë, dhe familjen, pa asnjë përjashtim.
  2. Ndjesia e fajit dhe turpit e përcjell gjatë gjithë kohës, edhe në punë edhe në shtëpi! Kjo ndikon në raportet e tyre me udhëheqësit, kolegët e punës, familjen, dhe shoqërinë e tyre. Ky emocion negativ ndikon në shkatërrimin e neuroneve, përkeqëson shëndetin, dhe përkeqëson sjelljet e tyre me të tjerët.
  3. Harxhojnë shpejt energjinë e tyre të vlefshme, duke u munduar ta fshehin mos punën, zvarritjen, dhe jo profesionalizmin! Mungesa e energjisë (karburantit) e privon njeriun prej arritjes së ëndrrave dhe qëllimeve që ka në jetë.
  4. Nuk zhvillohet profesionalisht dhe nuk avancon aspak në karrierë! Të tillët, gjithmonë do të mbesin në nivelin e njëjtë, pra nuk do të zhvillohen profesionalisht e as në karrierë, d.m.th. janë të dështuar. Dështimin e tyre do ta vërejnë të gjithë, udhëheqësit, kolegët, shoqëria, por edhe familja e tyre.
  5. Bëhet pengesë edhe për punonjësit tjerë! I dështuari tenton gjithmonë të ketë shoqëri të dështuar që mos ta kaploj ndenja e vetmisë dhe frikës. Këtë mundohet ta arrijë duke i mashtruar të tjerët, duke iu thënë se kontributi i tyre është i kotë, etj.

Pa dyshim që ka edhe efekte tjera negative që nuk janë përmend këtu, por çka është e rëndësishme në këtë drejtim, të dihet prej nga erdhën të gjitha këto efekte, sjellje dhe qasje negative?

Këto janë rezultat i injorimit dhe mos marrjes së detyrave dhe përgjegjësive të cilat i janë caktuar dhe i ka pranuar me nënshkrimin e kontratës së punës. Pra, një ‘tregti’ shumë e gabuar dhe në kundërshtim me vlerat universale botërore, por edhe kundër rrugës së duhur drejt zhvillimit, avancimit, dhe progresit të individit dhe të shoqërisë.

Ne të gjithë jemi para një zgjedhjeje të rrugës së dështimit dhe dëshpërimit për shkak të ‘qejfeve’ momentale, apo rrugës së suksesit dhe lumturisë në jetë që na pret gjatë dhe pas angazhimit në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive që kemi.

Pranimi dhe angazhimi rreth kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive që kemi marr përsipër, do ta zhvillonte profesionalizmin, përmirësonte integritetin, mbështeste karrierën, dhe rriste rrjetin e njerëzve të suksesshëm të cilët do të dëshironin të shoqëroheshin me ne.

Shumë e thjeshtë…, por e fuqishme!

Vehbi Zeqiri

Me përvojë për më shumë se 30 vite në pozita udhëheqëse.

Këtë shkrim ua dedikoj prindërve të mi dhe të gjithë prindërve të tjerë të cilët i kanë edukuar fëmijët e tyre që t’i marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë me një përkushtim të denjë dhe urtësi e mos ta njollosin nderin dhe krenarinë e paraardhësve të tyre.